CEZ: Aparatura të reja për matjen e energjisë për konsumatorët e mëdhenj
Fundi i vitit 2011 do të pajisë me matësa të rinj konsumatorët e mëdhenj të energjisë elektrike. CEZ Shpërndarje do të mbulojë të gjithë konsumatorët e mëdhenj me aparatura të reja për sistemin e matjes së energjisë. Inxhinieri i kompanisë “CEZ Shpërndarje”, Lulzim Omuri, sqaron se, këto aparatura janë të lidhura direkt në rrjet duke bërë një matje të saktë, transparente dhe në kohë reale të energjisë. Në këtë mënyrë, kompania “CEZ” ka ulur në mënyrë drastike numrin e faturistëve për të gjitha sipërmarrjet e biznesit. Projekti i zëvendësimit të aparaturave të vjetra për konsumatorët e mëdhenj filloi në janar 2010. Deri tani, janë instaluar rreth 2 mijë të tilla dhe brenda vitit do të montohen edhe 1500 aparatura të tjera në të gjithë vendin. Ndërsa në shtator të 2011 do të aplikohet kontrata e re e energjisë elektrike, e hartuar mes CEZ dhe Entit Rregullator të energjisë, e cila synon t’i japë më shumë të drejta konsumatorit. Në këtë mënyrë, konsumatori shqiptar nuk do të ketë më ndërprerje të paparalajmëruara të energjisë elektrike dhe do të rimbursohet për çdo defekt në pajisje, në rast se dëmtimi i tyre do të vijë për shkak të lidhjeve të shkurtra të energjisë elektrike.