Banka e Shqipërisë: Pr.buxheti 2026 i qëndrueshëm, hapësira për investime dhe rritje

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, në seancën dëgjimore në Komisionin e Kuvendit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, vlerësoi pozitivisht projektbuxhetin e vitit 2026, duke theksuar se ai zhvillohet në një kontekst makroekonomik të qëndrueshëm.
Sipas Minxhozit, ekonomia shqiptare ka shfaqur rritje të vazhdueshme gjatë katër viteve të fundit, me rritje të punësimit dhe të pagave, përmirësim të gjendjes financiare të bizneseve dhe inflacion të ulët nën kontroll.
Borxhi publik dhe ai i huaj kanë shënuar rënie, ndërsa treguesit e sektorit bankar tregojnë përmirësim.
“Parashikimet për vitin 2026 sugjerojnë që këto trende do të vazhdojnë, dhe për këtë arsye Banka e Shqipërisë vlerëson se politika fiskale duhet të mbetet e ekuilibruar dhe neutrale, duke ruajtur një konsolidim gradual që manifestohet përmes një deficiti të ulët buxhetor prej 2,3% të PBB-së, një balancë primare neutrale dhe uljes së mëtejshme të borxhit publik”, tha ajo.
Projektbuxheti i vitit 2026 ruan një hapësirë të konsiderueshme për investime publike, të cilat janë projektuar në nivelin 6,5% të PBB-së, falë balancës korrente pozitive.
“Projektbuxheti i vitit 2026 ruan një hapësirë të konsiderueshme për investime publike. Këto investime, të projektuara në nivelin 6,5% të PBB-së, bëhen të mundura nga vlera pozitive e balancës korrente, apo me fjalë të tjera, e diferencës midis të ardhurave dhe shpenzimeve korrente, në nivelin 4,3% të PBB-së. Si një vend në zhvillim, Shqipëria ka nevoja relativisht të mëdha për investime në infrastrukturën publike, investime të cilat kanë ndikim pozitiv në produktivitet dhe rritin potencialin e zhvillimit të vendit. Për këtë arsye, çdo projektbuxhet, aktual dhe i ardhshëm, duhet të kujdeset për ruajtjen e këtyre hapësirave nëpërmjet kontrollit të shpenzimeve korrente dhe zgjerimit të bazës së të ardhurave”, tha Minxhozi.
Sipas Minxhozit, projektbuxheti i vitit 2026 parashikon një nivel relativisht të ulët huamarrjeje, si në tregun e brendshëm – i cili parashikohet të mbulojë më shumë se 70% të nevojave për financim – dhe në atë të jashtëm. “Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, ruajtja e huamarrjes së re në nivele të ulëta ndihmon në reduktimin e primeve të rrezikut dhe rritjen e hapësirave për huamarrjen e sektorit privat. Në të njëjtën kohë, fokusimi i kësaj huamarrjeje në tregun e brendshëm ndihmon në reduktimin e ekspozimit të buxhetit të shtetit ndaj rrezikut të kursit të këmbimit dhe është konsistent me kushtet e mira financiare në tregun vendas”, deklaroi Minxhozi.
Një tjetër vlerësim pozitiv i Bankës së Shqipërisë është përpjekja për rritjen e formalizimit të ekonomisë, e cila kontribuon në zgjerimin e bazës tatimore, forcimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe rritjen e konkurrencës së ndershme.
Në lidhje me projeksionet fiskale, sipas Minxhozit, projektbuxheti parashikon të ardhura totale prej 823 miliardë lekësh, ose rreth 29,6% të PBB-së, dhe shpenzime totale prej 887 miliardë lekësh, duke rezultuar në një deficit prej 63,7 miliardë lekësh.
“Banka e Shqipërisë vlerëson se niveli i të ardhurave është i arritshëm, por kërkon monitorim të kujdesshëm të realizimit të buxhetit dhe identifikim të masave kontingjente në rast devijimesh”, u shpreh më tej ajo.
Po ashtu, BSH inkurajon një shpërndarje më lineare të shpenzimeve dhe të huamarrjes së brendshme për të minimizuar luhatjet e normave të interesit dhe për të mbajtur stabilitetin e sistemit financiar.
Banka thekson se projektbuxheti i vitit 2026 respekton kërkesat e Ligjit Organik të Buxhetit, duke garantuar disiplinë dhe transparencë fiskale, mbajtjen e borxhit publik në rënie, planifikimin e investimeve publike në nivele më të larta se deficiti, mospërdorimin e të ardhurave nga privatizimi për financimin e deficitit dhe krijimin e fondeve kontingjente për rreziqet e mundshme.
Banka e Shqipërisë nënvizon se konsolidimi fiskal duhet të mbështetet gjithnjë e më shumë në rritjen e të ardhurave publike, duke minimizuar presionin mbi shpenzimet dhe duke ruajtur hapësira për investime të efektshme.
Ajo sugjeron forcimin e administratës tatimore, digjitalizimin e proceseve dhe rishikimin e parametrave të skemës së pensioneve për të përballuar sfidat e demografisë dhe të skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Po ashtu, Banka rekomandon forcimin e kapaciteteve profesionale për menaxhimin e projekteve të Partneritetit Publik Privat, në përputhje me detyrimet ligjore dhe financiare që ato ngarkojnë buxhetin e shtetit.
Në vlerësimin e Bankës, projektbuxheti i vitit 2026 ruan natyrën konsoliduese të politikës fiskale, respekton ligjin dhe krijon hapësirë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe besimin e investitorëve.
/r.e/a.f/