E Diel, 1 Nëntor 2026

77,2 miliardë lekë për infrastrukturë moderne dhe energji të gjelbër në vitin 2026

TIRANË, 13 nëntor /ATSH – Etleva Xhajanka/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) do të ketë në dispozicion për vitin 2026 një buxhet total prej 77,2 miliardë lekësh.

Sipas projektbuxhetit të paraqitur sot nga zëvendësministrja Enkeleda Muçaj në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, 6,7 miliardë lekë janë parashikuar për shpenzime korrente, ndërsa 70,2 miliardë lekë për shpenzime kapitale, me 52 miliardë lekë si financim të brendshëm dhe 14 miliardë lekë si financim të huaj.

Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Kuvendit, zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkeleda Muçaj, theksoi se ky buxhet siguron mbështetje për rritjen e pagave të punonjësve, sipas vendimit të qeverisë, si dhe financim për të gjitha investimet në fushat e transportit rrugor, hekurudhor, detar, ajror, ujësjellës kanalizimeve dhe energjisë.

“Ky është një buxhet që garanton vijimësinë e projekteve madhore infrastrukturore dhe energjetike, përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e efikasitetit të sistemit tonë të transportit dhe energjisë”, u shpreh Muçaj.

Transporti detar: 14,6 miliardë lekë për projektet portuale

Një nga zërat më të rëndësishëm në buxhetin e MIE për vitin 2026 është transporti detar, për të cilin janë akorduar 14,6 miliardë lekë.

Zëvendësministrja Muçaj bëri të ditur se buxheti synon të mbështesë përfundimin e projekteve strategjike në infrastrukturën portuale, përfshirë portin e Durrësit, që mbetet porti më i madh dhe më i rëndësishëm i vendit.

“Në vitin 2026 do të finalizohet procesi përfundimtar i zhvillimit të portit të Durrësit, duke e kthyer atë në një nyjë të rëndësishme tregtare dhe turistike për Shqipërinë dhe rajonin”, theksoi Muçaj.

Transporti ajror: 26,6 miliardë lekë dhe trefishim i kapaciteteve

Për transportin ajror, buxheti i vitit 2026 parashikon 26,6 miliardë lekë, me synimin për të përforcuar zhvillimin e infrastrukturës aeroportuale dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Sipas Muçaj, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka trefishuar kapacitetet e tij operacionale, ndërkohë që fluksi i pasagjerëve është rritur dhjetëfish, duke arritur në 120 destinacione aktive.

“TIA është kthyer në një qendër të rëndësishme të hyrje-daljeve me Shqipërinë, duke reflektuar rritjen e ndjeshme të turizmit dhe të mobilitetit të qytetarëve shqiptarë dhe të huaj”, u shpreh ajo.

Energjia: 3,58 miliardë lekë për burimet e rinovueshme

Një tjetër prioritet i buxhetit është sektori energjetik, për të cilin janë parashikuar 3,58 miliardë lekë investime. Fondet do të përdoren për rritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme, si dielli, era dhe uji, në përputhje me objektivat kombëtare për tranzicionin energjetik dhe uljen e emetimeve të karbonit.

Gjatë fjalës së saj, Muçaj shpjegoi se në projektbuxhet janë përfshirë edhe fonde për sektorë të tjerë që mbulon MIE: Burimet natyrore, 492 milionë lekë për menaxhimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të pasurive natyrore; Industria, 452 milionë lekë për nxitjen e konkurrueshmërisë dhe inovacionit industrial; Planifikimi urban, 206 milionë lekë për zbatimin e planeve të zhvillimit vendor dhe rajonal; Furnizimi me ujë dhe kanalizimet, fonde për përmirësimin e shërbimeve bazë dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësve në zonat rurale.

Zv.ministrja Muçaj nënvizoi se buxheti i vitit 2026 i jep përparësi përfundimit të projekteve ekzistuese, zhvillimit të infrastrukturës moderne të transportit dhe rritjes së qëndrueshmërisë energjetike, duke e orientuar Ministrinë drejt një modeli të integruar zhvillimi në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

“Ky buxhet pasqyron angazhimin tonë për të forcuar bazat e një infrastrukture moderne, të gjelbër dhe efikase, që i shërben qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare”, përfundoi Muçaj.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›