Banka e Shqipërisë: Ulen pagat në sektorin privat
Për herë të parë që nga 2006-ta, paga mesatare në ekonomi u zvogëlua me 6.5 për qind
Kriza ekonomike e ka detyruar sektorin privat që jo vetëm të bëjë shkurtime të punonjësve, por edhe të ul pagat e tyre. Konstatimi vjen nga vetë Banka e Shqipërisë e cila në një raport të fundit të saj mbi të ardhurat ekonomike të familjeve shqiptare dhe punësimit, vëren se të ardhurat mujore janë ulur si pasojë e papunësisë dhe pagave përherë e më të vogla.
Raporti
Si pasojë e kësaj qytetarët kanë vazhduar të pakësojnë shpenzimet për konsum edhe në tremujorin e parë të vitit, duke sinjalizuar thellim të krizës ekonomike. Në raportin e sapo publikuar të politikës monetare, Banka vëren se rënia e importit të mallrave për ushqime si dhe ajo e balancës së blerjeve në shuma të mëdha dëshmojnë për dobësim të mëtejshëm të kërkesës për konsum në ekonomi. Rënia e kërkesës së brendshme, posaçërisht konsumit të familjeve dhe investimeve private është shkaku kryesor i ngadalësimit të ekonomisë në shifrat më të ulëta që nga viti 1997.
Konsumi
Nga gjeneratori i rritjes së shpejtë të prodhimit në vitet para krizës, kërkesa për konsum tashmë po prodhon efektin e kundërt ata të tkurrjes ekonomike. Shkaku kryesor i rënies lidhet me pasiguritë e larta që ka sjellë kriza tek familjet. Por vitin e fundit, duket se ka edhe një tjetër arsye se pse qytetarët nuk blejnë dhe ajo lidhet me të ardhurat. Sipas Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e parë të vitit të kaluar të ardhurat e disponueshme të familjeve u tkurrën krahasuar me një vit më parë.
Pagat
Ndonëse Banka vlerëson se ky tregues u përmirësua në tremujorin e fundit të 2012-ës, për një grup të madh familjesh, veçanërisht ato që kanë si burim të vetëm pagat, tkurrja e të ardhurave ka vazhduar. Sipas shifrave zyrtare, vitin e kaluar, për herë të parë që nga 2006, paga mesatare në ekonomi u zvogëlua me 6.5 për qind. Në raportin e fundit Banka vlerëson se pagat reale kanë vijuar të ulen edhe në tremujorin e parë të vitit duke tkurrur të ardhurat për të punësuarit veçanërisht në sektorin privat.