Banka e Shqipërisë bleu 139,6 milionë euro në tremujorin e parë

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Banka e Shqipërisë ka blerë 139,6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor gjatë tremujorit të parë të vitit, duke shënuar një rritje prej 320% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, blerjet e valutës janë realizuar përmes dy kanaleve kryesore: ankandeve të planifikuara, me qëllim rritjen e rezervës valutore, si dhe ndërhyrjeve direkte në treg për të zbutur mbiçmimin e lekut ndaj euros.
Në kuadër të ankandeve të planifikuara, Banka e Shqipërisë bleu gjatë tremujorit të parë 44,1 milionë euro, vlerë kjo në rritje me 33% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, ndërhyrjet direkte në tregun valutor përbënë pjesën më të madhe të blerjeve. Gjatë muajve shkurt dhe mars, Banka e Shqipërisë bleu 95,5 milionë euro, me synim ngadalësimin e rënies së kursit të euros kundrejt monedhës vendase.
Blerjet valutore janë pjesë e politikës së Bankës së Shqipërisë për administrimin e rezervës valutore dhe ruajtjen e stabilitetit të tregut financiar.
Për këtë vit, Banka e Shqipërisë parashikon të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës, duke synuar blerjen përmes ankandeve të një vlere prej 330 deri në 450 milionë eurosh, me objektiv forcimin e rezervës valutore të vendit.
/e.xh/j.p/