Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë të interesit

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2,5%.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në një konferencë për shtyp, tha se “Këshilli vendosi gjithashtu të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1,5% dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3,5%”.
Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për momentin.
“Ky qëndrim mundëson përmbushjen e parashikimeve të skenarit bazë, duke i ofruar ekonomisë shqiptare kushte të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv. Gjithashtu, ai adreson pasigurinë mbi ecurinë e ekonomisë dhe të inflacionit në të ardhmen, duke mundësuar më shumë kohë për monitorimin e ecurisë së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe duke ofruar fleksibilitetin e duhur për një reagim në kohë ndaj zhvillimeve të pafavorshme”, tha Sejko.
Këshilli Mbikëqyrës vëren se reagimi i politikës monetare do të vijojë të orientohet, në çdo rast, drejt respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve, duke u kujdesur që goditja e ofertës të mos shndërrohet në presione të qëndrueshme dhe afatgjata inflacioniste.
“Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes e në vazhdimësi situatën. Bazuar në të dhënat e reja, ai mbetet i gatshëm të reagojë në kohën, kahun dhe me forcën e duhur, ndaj çdo rreziku material mbi stabilitetin e çmimeve”, theksoi Sejko.
/k.s/r.e/