Përcaktohen katër ekipet e “Final Four”, Flamurtari bie nga Kategoria Superiore

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Elbasani, Vllaznia, Egnatia dhe Dinamo City janë ekipet që do të luajnë në “Final Four” për të përcaktuar fituesen e kategorisë Superiore, ndërsa Flamurtari ka rënë në Kategorinë e Parë, pas rezultateve të javës së 35-të.
Tirana arriti një fitore jetike 1-0 ndaj Vllaznisë, falë një penalltie të shënuar nga Rafa Silva. Shkodranët e mbyllën ndeshjen me nëntë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Malës dhe Bajramit, ndërsa bardheblutë ngjiten në vendin e gjashtë me 41 pikë, duke bërë një hap të madh drejt mbijetesës.
Po në kuotën e 41 pikëve është ngjitur edhe Bylisi, i cili mposhti 2-1 Elbasanin kryesues me të gjithë golat në pjesën e dytë.
Në garën për titull, Egnatia u rikthye te fitorja duke mposhtur Partizanin 2-0 në debutimin e trajnerit Nevil Dede, rezultat ky që lë “të kuqtë” zyrtarisht jashtë zonës “Final Four”.
Vendin e tyre e ka marrë Dinamo, e cila pas barazimit 2-2 ndaj Vorës siguroi pjesëmarrjen në fazën finale. Ndërkohë, fundi i tabelës ka sjellë lajmin e hidhur për Flamurtarin.
Barazimi 2-2 ndaj Teutës ka zbritur zyrtarisht vlonjatët në Kategorinë e Parë, pasi me 36 pikë e kanë të pamundur arritjen e zonës së shpëtimit në javën e fundit, për shkak se Vora dhe Teuta, që ndodhen më sipër me 39 pikë, kanë në favor përballjet direkte.
/gj.m/r.e/