Banka e Shqipërisë, plan masash për reduktimin e parasë cash

Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me institucionet e linjës, kanë hartuar një plan masash që synojnë reduktimin e parave që qarkullojnë jashtë sistemit bankar, ose siç njihet ndryshe paraja cash.
Aktualisht pjesë e strategjisë 5-vjeçare do të jetë ulja e cash nëpërmjet përdorimit të terminaleve POS në Shqipëri.
Për këtë do të vendoset detyrimi, që gjithë bizneset të cilat ushtrojnë aktivitet të shitjes me para në dorë në sektorin e tregtisë, turizmit dhe shërbimeve do të kenë detyrimin që të instalojnë POS.
Gjithashtu pjesë e planit të masave është parashikuar edhe detyrimi për t’u pajisur me kartë debiti i të gjithë të punësuarve si dhe krijimi i një grupi pune me përfaqësues nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave, për të ulur komisionet e përdorimit të terminaleve POS mes bankave të nivelit të dytë dhe tatimpaguesve si dhe ulja e kostos së mbajtjes së llogarisë bankare për individë dhe biznes të vogël.