E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat, 5 % e shqiptarëve zotërojnë 58 % të depozitave

Në një raport të fundit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave thuhet se më shumë se gjysma e llogarive bankare janë të përqendruara në duart e 5 % të shqiptarëve, ndërsa pjesa tjetër që përbën 95 % të popullsisë zotërojnë pjesën e mbetur të depozitave, me shuma minimale që nuk i kalojnë as 2.5 milionë lekë.
Raporti
Raporti zyrtar i Agjencisë së Depozitave që u prezantua dje para deputetëve në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dëshmon se pjesa dërrmuese e kursimeve në banka, zotërohet nga një grup i vogël individësh. Raporti, që i referohet të dhënave zyrtare nga bankat, tregon se 5 për qind e atyre që kanë kursime në banka, zotërojnë mbi 58 për qind të shumës totale të depozitave në vend. Ndërsa 95 për qind të tjerët ndajnë mes tyre pjesën e mbetur të kursimeve.
Depozitat
Në fundvitin 2011, numri i depozituesve, të cilët e kanë shumën e depozitave të tyre të agreguara deri në 2 milionë e 500 mijë lekë, dominon duke zënë 95 për qind të totalit të numrit të depozitorëve në individë, në sistemin bankar, të cilët janë plotësisht të mbuluar nga skema”, thotë Silvana Sejko, drejtoreshë e ASD-së. Në fund të vitit 2011 kursimet totale të individëve arritën sipas të dhënave zyrtare, në 740 miliardë lekë nga të cilat 430 miliardë i përkisnin vetëm 68 mijë personave. Ndërsa pjesa e mbetur prej 310 miliardë lekësh ndahen nga 1 milionë e 532 mijë veta ose 200 mijë lekë kursime për depozitues. Shifrat e depozitave në banka tregojnë se kapitali, të paktën ai që qarkullon në sistemin bankar është i përqendruar në duart e pak individëve, ndërsa pjesa dërrmuese kanë kursime modeste.
Siguria e depozitave
Megjithatë ajo çka evidentoi si të rëndësishme drejtoresha e ASD-së Silvana Sejko është se pavarësisht krizës ekonomike globale, depozitat e shqiptarëve janë të sigurta. Depozitat e qytetarëve janë rritur nga viti në vit si në monedhën vendase edhe në atë të huaj. Në krahasim me 2010-ën depozitat gjatë vitit 2011 u rriten me afri 13 %. Gjatë vitit 2011 Agjencia e Sigurimit të Depozitave ka ndikuar në rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit bankar, në forcimin e besimit të publikut në skemën e sigurimit të depozitave në Shqipëri, si dhe në shmangien e riskut të humbjes së kursimeve të tyre si pasojë e falimentimit të mundshëm të ndonjë banke, duke kontribuar në rritjen e mirëqenies ekonomike të vendit, tha drejtoresha Sejko. Depozitat e besuara në 16 bankat e nivelit të dytë, në 54 për qind të tyre, janë në monedhën vendase dhe 46 për qind në valutë të huaj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›