E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët Klosi e Leka lënë grevën



Aristir Lumezi

Deputetët socialistë Blendi Klosi dhe Agim Leka u detyruan më në fund të shkojnë në spital. Pas 16 ditësh në grevë urie, ata nuk i kanë rezistuar më kësaj situate dhe ka qenë alarmi i dhënë nga grupi i mjekëve që monitoron grevistët që kanë urdhëruar dërgimin e tyre në spital me urgjencë. Klosi kishte paraqitur komplikacione që para një jave me shëndetin e tij për shkak të sëmundjes së diabetit që ai ka, por kishte këmbëngulur që të mos e linte grevën e urisë. Si mjekët ashtu dhe drejtuesit e PS nuk kishin mundur ta bindnin atë që të largohej nga çadra dhe të ndërpriste grevën e urisë, pasi në këtë mënyrë ai rrezikonte seriozisht shëndetin e tij. Por Klosi vetëm dje iu bind mjekëve që duket se nuk jepnin më garanci për shëndetin e tij nëse ai vazhdonte pa mjekimet e nevojshme për diabetin. Nga spitali Klosi nënvizoi se i vinte keq që nuk gjendej më pranë grevistëve, por largohej nga greva me bindjen se tashmë ajo do të hyjë në histori si një moment i lavdishëm i politikës shqiptare. “Kjo grevë vlejti shumë sepse ne arritëm të tregojmë se ka akoma njerëz që sakrifikojnë kaq shumë nga vetja për diçka e cila nuk ka lidhje personalisht me asnjë nga ne por ka lidhje me të ardhmen e këtij vendi. Greva do të mbetet në vite si një moment i lavdishëm i historisë politike të shqiptarëve”, u shpreh deputeti socialist. Edhe deputeti i qarkut të Elbasanit, Agim Leka iu dorëzua dje mjekëve dhe iu drejtua madje me urgjencë spitalit për shkak të komplikacioneve. Edhe ai para një jave paraqiti komplikacione me shëndetin për shkak të humbjes rreth 11 kg nga pesha e tij trupore dhe çrregullimeve me tensionin. Tre ditë më parë u shoqërua në spital dhe vëllai i tij, Ferit Leka, i cili ishte ngujuar në grevën e urisë që prej mbrëmjes së 30 prillit. Po dje u dërguan në spital dhe katër grevistë të tjerë, duke e çuar në 45 numrin e grevistëve që lenë grevën, por gjendja shëndetësore e grevistëve të tjerë është tashmë e rënduar dhe çdo orë që kalon sipas mjekëve sjell komplikacione të reja. Kiço Tela, Ylli Pashaj dhe Julian Dracci dhe Ferdinand Kapllanaj u larguan dje pasdite nga çadra e grevës së urisë. Profesori i njohur Sabit Brokaj i cili është në krye të grupit të mjekëve që monitorojnë grevistët, tha se “Blendi Klosi është diabetik dhe kishte çrregullime tërësore në organizëm, pasojë e sëmundjes”. Sipas tij, priten përkeqësime të vazhdueshme të grevistëve. “Siç ishte dhe është e pritshme dhe siç e keni parë, gjendja shëndetësore e grevistëve është mjaft e rënduar. Gjatë natës dhe tani janë përcjellë numri më i madh në 24 orë grevistësh të sëmurë në spital. Tani u përcoll, pas këmbënguljes së personelit mjekësor dhe drejtuesve të Partisë Socialiste për gati 2 javë, deputeti Blendi Klosi për tu trajtuar në spital, pasi sikurse ka deklaruar herë pas here nuk ka pranuar që të shkonte. Vazhdon që gjendja të keqësohet, është e pritshme që problemet e tyre shëndetësore të jenë edhe më serioze, po qe se greva do të zgjasë më tej”, u shpreh Brokaj.

“çdo orë që kalon, përgjegjësi e qeverisë”
Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama pasi ka vizituar grevistët sot në spitalin infektiv të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës pohoi se gjendja e grevistëve është rënduar dhe se në këto kushte duhet të jepet një zgjidhje ndaj kërkesave të PS. Ndërsa greva e urisë e një grupi deputetësh dhe simpatizantësh të Partisë Socialiste ka hyrë sot në ditën e 16-të në kampingun e ngritur përpara selisë së Qeverisë, Rama u shpreh se “gjendja e grevistëve është duke u rënduar. çdo orë që kalon është një përgjegjësi më shumë për Qeverinë dhe personalisht për kryeministrin Berisha”.

Edhe minoriteti në protestë

GJIROKASTER - Bizneset e zonës minoritare kanë protestuar mesditën e djeshme për atë që ata e kanë quajtur diskriminim dhe goditje të njëanshme nga segmente të caktuara të shtetit. Përfaqësues të bizneseve u mblodhën në Derviçain për të denoncuar sipas tyre politikat diskriminuese ndaj atyre bizneseve që janë më të rregullta në detyrime financiare me organet tatimore rajonale në Gjirokastër. Ndonëse prezent në këtë tubim paqësor ka qenë edhe kreu i PBDNJ Vangjel Dule, organizatorët e protestës pohuan se ajo nuk ka karakter politik. Janë gjashtë biznese të vogla që operojnë në komunën e Dropullit të Poshtëm, që janë gjobitur nga organet tatimore rajonale me 100 mijë lekë, çka sipas tyre është shumë e pajustifikueshme. Ata kanë denoncuar dhe heqjen e licencës së agjencisë së transportit të udhëtarëve Gjirokastër-Athinë, “Dropoli” e cila prej katër javësh, nuk operon në treg për mospërmbushje të kritereve juridike, por ky argument është kundërshtuar nga protestuesit.

Të larguarit nga greva

1-Klodiana Spahiu, Durrës
2-Ramazan Ceka, Elbasan
3-Romeo Sinaj, Vlora
4-Demo Muhaj, Tirana (rikthyer)
5-Edmond Prifti, Patosi
6-Bledar Meço, Fier
7-Niko Gora, Korça
8-Isa Arapi, Vlora
9-Salarjon Totaj, Fier
10-Klodian Rira, Prrenjas
11-Arbër Begaj, Tirana
12-Alfred Davidhi, Fier
13-Ervin Bushi, Fier
14-Elisa Spiropali, Tirana
15-Kujdesim Basha, Kukës
16-Saimir Gura, Shkodër
17- Lekë Njeza, Tiranë
18- Bujar Neziri
19- Besnik Bare Tiranë(rikthyer)
20-Andi Hajdari, Tiranë
21-Fatmir Kalemaj, Patos
22-Astrit Agjami, Kukës
23-Asllan Dogjani, Kukës
24-Endrit Gjikondi, Tiranë
25-Artmir Ahmetaj, Tiranë
26-Afrim Syla, Kukës
27-Astrit Sefekolli, Korça
28-Hasan Sulo, Tiranë,
29-Martin Hasa, Tiranë
30-Ledi Shamku, Tiranë
31-Ymer Murati, Tiranë
32-Ibrahim Ceka, M. Madhe
33-Ferit Leka, Elbasan
34-Astrit Cengu, Kukës
35-Përparim Metaj
36-Arben Malaj
37-Florian Shima
38-Shefki Mullai
39-Merlind Prendi Lushnje
40-Agim Leka, Elbasan
41-Kicco Tela
42-Blendi Klosi,
43-Ylli Pashaj, Elbasan
44-Julian Dracci, Tiranë
45-Ferdinand Kapllanaj Mallakastër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›