E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat injorojnë apelet e biznesit, shtrëngojnë sërish kushtet për kredi

Ard Kola

Monitorimi janar-mars 2013, shkak janë huat me probleme dhe kriza në ekonomi

Shkaqet - Problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin ndërmarrja, gjendja e huave me probleme në sistemin bankar dhe situata makroekonomike në vend, janë disa nga shkaqet kryesore

Banka e ShqiperisePavarësisht konferencave pa fund, thirrjeve të guvernatorit, apeleve të vazhdueshme të biznesit etj., sërish bankat vazhdojnë me të tyren sa u takon kushteve për akordimin e kredive. Nga monitorimet e kryera në tremujorin e parë 2013, nga Banka e Shqipërisë te bankat e nivelit të dytë, mësohet se, standardet e kredisë për individë u lehtësuan pak, ndërsa për biznese vijuan të shtrëngohen, në tremujorin e parë të vitit 2013. Shtrëngimi i standardeve të bizneseve rezultoi si për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ashtu dhe për ndërmarrjet e mëdha.

Bankat shprehen si për shtrëngim të standardeve për kredi me qëllim financimin e kapitalit qarkullues, ashtu dhe për qëllime investimi.

Faktorët me kontributin kryesor në shtrëngimin e standardeve të kredisë për bizneset ishin: problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin ndërmarrja, gjendja e huave me probleme në sistemin bankar dhe situata makroekonomike në vend.

Nga ana tjetër, ashtu si dhe në tremujorët e mëparshëm, gjendja e likuiditetit dhe konkurrenca në sistemin bankar kanë ndikuar në lehtësimin e standardeve të kredidhënies për bizneset.

Niveli aktual ose i pritshëm i likuiditetit të bankës, konkurrenca në sistemin bankar dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë, përfaqësojnë faktorë me ndikim në kahun lehtësues të standardeve të kredisë për individë.

Huat me probleme, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe gjendja financiare e individëve kanë vijuar të kontribuojnë në kahun shtrëngues të standardeve të kredidhënies për individët. Kërkesa për kredi është vlerësuar në rënie, si për bizneset ashtu dhe për individët.

Për bizneset, rënia e kërkesës u vu re në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe për kredinë për qëllime investimi. Për individët, kërkesa ka vijuar të jetë në rënie, si për kreditë me qëllim blerje banese, ashtu dhe për kredinë me qëllim financimin e konsumit.

Faktorët kryesorë që kanë ndikuar negativisht kërkesën për kredi të bizneseve, gjatë tremujorit të parë të vitit 2013, janë situata aktuale dhe e pritshme makroekonomike në vend dhe përdorimi i burimeve alternative të financimit. Pasiguria e perceptuar nga konsumatorët dhe përdorimi i burimeve alternative të financimit kanë vijuar të ndikojnë negativisht në nivelin e kërkesës për kredi të individëve.

Për tremujorin e dytë të vitit 2013, pritet që standardet e kredisë për bizneset të lehtësohen disi, thuhet në monitorimin e kryer nga BSH-ja.

Politika shtrënguese e bankave gjatë tremujorit të parë të vitit 2013 është realizuar kryesisht nëpërmjet rritjes së kërkesës për kolateral në raport me madhësinë e huas, zgjerimit të marzhit për kreditë me rrezik, si dhe uljes së maturitetit maksimal të kredisë. Nga ana tjetër, ngushtimi i marzhit mesatar dhe ulja e komisioneve në këtë tremujor kanë ndihmuar disi në zbutjen e standardeve të kredidhënies. Kredia për ekonominë ka rënë në nivelet e 2.4 për qind, më e ulëta historike.

Bankat injorojnë apelet e biznesit, shtrëngojnë sërish kushtet për kredi burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›