Bankat rritën profitin, zvogëluan punëtorët

Një analizë e bërë nga Instituti për Studime të Avancuara - GAP tregon se normat e interesit që ofrohen për qytetarët nga bankat në Kosovë mbesin të larta, si edhe në vitin paraprak.
Analiza, po ashtu, nxjerr në pah se bankat kanë ulur shpenzimet, përfshirë edhe zvogëlimin e numrit të të punësuarve, duke rritur në anën tjetër profitin, gjatë vitit 2010.
Publikimi i GAP-it, i quajtur Bankometri 6, i cili përfshinë periudhën shtator – dhjetor 2010, thekson se normat e interesit edhe me tutje mbesin të larta, si edhe në vitin paraprak.
Sipas GAP-it, viti i kaluar u karakterizua me ndryshimet në prioritetet e bankave, të cilat tashmë janë përqendruar në ofrimin e shërbimeve dhe pakove të ndryshme, përkundër përqendrimit vetëm në kredidhënie, ashtu siç ishte në vitet e kaluara.
Trend tjetër ishte ndryshimi i xhirollogarive rrjedhës në atë të pakove te ndryshme që ofrohen nga bankat. “Gjatë vitit 2009 kemi vërejtur një ngadalësim në kredidhënie, e njëherazi edhe një besim më të ultë të qytetarëve në banka, të cilat rezultuan në rritje të vogël të normave të interesit dhe rënie të konsiderueshme të profitit në sektorin bankar. Ky trend vazhdoi edhe gjatë gjysmës së vitit 2010, sidomos zvogëlimi i rritjes së të hyrave nga normat e interesit”.
“Për ta evituar një vazhdim të mëtutjeshëm, bankat kanë ulur shpenzimet të cilat kanë ndikuar në rritjen e profitit në vitin 2010, sidoqoftë ato reflektuan në zvogëlimin e numrit të të punësuarve në këtë sektor për rreth 100 punëtorë, krahasuar me vitin 2009”, thekson studimi.
“Viti 2010 u karakterizua me ndryshime në prioritetet e bankave, të cilat tani janë përqendruar në ofrimin e shërbimeve dhe pakove të ndryshme, përkundër përqendrimit vetëm në kredidhënie gjatë viteve të kaluara. Kështu, shërbimet e-banking shënuan një trend të shpejtë të rritjes”, thuhet më tutje në analizën e GAP-it.
Analizuesit e GAP-it thonë se kanë hasur në vështirësitë gjatë analizimit të informatave, për t’i bërë ato më lehtë të krahasueshme për qytetarët, si pasojë e mungesës së një raportimi unik.