E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis “heshtazi” fushata zgjedhore në Drenas

Nga Express më 05 janar 2011 në ora 18:43

Fushata zgjedhore ka filluar në komunën e Drenasit ku do të përsëriten zgjedhjet më 9 janar, por askund nuk duket atmosfera e fushatës zgjedhore, ngase partitë gjatë këtyre tri ditëve të fushatës kanë zgjedhur tubimet e vogla si mënyrë më e mirë për të komunikuar me qytetarët.

Përfaqësuesit e partive në këtë komunë besojnë se do të ketë një proces të rregullt zgjedhor, ndërsa qytetarët shprehen të bindur se do të ketë pjesëmarrje të madhe në zgjedhje.

Parregullsitë e zgjedhjeve të 12 dhjetorit në këtë komunë, sipas qytetarëve, nuk do të ndikojnë që të ketë sërish pjesëmarrje të madhe. Ata theksojnë se e drejta e votës duhet shfrytëzuar për të votuar ata që mendojnë se janë më të mirët për të qeverisur vendin.

Ejup Veliu, beson se do të ketë pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 9 janarit, pavarësisht se në zgjedhjet e 12 dhjetorit ishin identifikuar manipulime të shumta të vullnetit të qytetarëve.

“Po do të dalim, siç kemi dalë gjithmonë, do të dalim i madh e i vogël, domethënë ata që kanë të drejtë të votojnë do të dalin”, ka thënë Veliu.

Ndërkaq Hajdar Bylykbashi thekson se qytetarët duhet të votojnë pa ngurrim dhe ta shprehin vullnetin e tyre ashtu siç duan vetë.

“Ne si rajon, do të dalim prapë si kemi dalë herën e parë në votime dhe mendoj se do të jenë votimet tash më të sakta se përpara”, ka thënë ai.

Ndërsa një qytetar tjetër, Selim Koca, i cili nuk i fsheh as preferencat e tij politike thekson se prapë do të fitojë PDK-ja, të cilën ai nuk e mbështet.

“Komisionet që janë tani ndoshta do t’i ruajnë më mirë, por në këto dy komuna që janë, gjithmonë do të fitojë PDK-ja, sepse këta të gjithë ia mbajnë nga socializmi, e jo nga vigani Shaban Polluzha që ka luftuar për Drenicën. Askund në viset e Kosovës nuk ka heronj sa ka Drenica”, ka thënë ai.

Ndërkohë, subjektet politike kanë filluar takimet me qytetarët, mirëpo preferojnë të mbajnë takime të vogla, kryesisht nëpër oda nëpër fshatra të ndryshme.

Zëdhënësi i shtabit zgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Istogu ka thënë se fushatës së partisë në të gjitha tubimet i prinë kryeministri në largim Hashim Thaçi.

“Fushatën për momentin është duke e zhvilluar vetëm kryeministri me deputetët e zonës sonë që janë gjithsej 11. Presim dalje masive të qytetarëve në zgjedhje. Mendoj se është bërë i padrejtë anulimi për disa parregullsi, por megjithatë ne i kemi pranuar anulimet dhe besojmë që dalja do të jetë masovike. Besojmë se prapë do të përsëritet ai rezultat që ka qenë herën e kaluar”, ka thënë Istogu.

Të mërkurën fushata e PDK-së ka filluar në orët e mbrëmjes me tubime të ndryshme në fshatrat Negroc, Llapushnik e Arllat, ndërkaq sipas Istogut, vetëm ditën e premte kur do të mbyllet fushata, do të mbahet një tubim më i madh në sallën e kulturës.

Ndërkaq shefi i shtabit zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje, Petrit Bajraktari ka thënë se sikur para zgjedhjeve të 12 dhjetorit, Vetëvendosja ka filluar t’i takojë për së afërmi qytetarët e kësaj komune dhe të dëgjojë hallet dhe problemet e tyre.

“Nuk do të shkojmë në tubime të mëdha ndoshta siç kanë qenë, për shkak se natyrisht jemi duke shkuar në atë që të takojmë sa më shumë njerëz, por në tubime më të vogla”, ka thënë ai.

Përfaqësuesit e subjekteve politike thonë se e kanë përfillur vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke emëruar komisionarë dhe vëzhgues të rinj, në mënyrë që procesi zgjedhor që do të mbahet të dielën të jetë tërësisht i rregullt dhe i pranueshëm.

Lëvizjes Vetëvendosje në përsëritjen e zgjedhjeve i është lejuar që nga 33 komisionarë sa kishte në zgjedhjet e 12 dhjetorit, t’i ketë 54, aq sa ka edhe vendvotime, ndërsa një numër i vëzhguesve të kësaj lëvizje do të jenë edhe nga komunat tjera.

Rivotimi i plotë të dielën në Drenas, Skenderaj dhe Deçan, si dhe rivotimi i pjesshëm në Malishevë dhe Lipjan do të mbahet pas vendimit të KQZ-së për shkak të parregullsive të evidentuara në këto komuna në zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›