Bankat vlerësojnë negativisht kërkesën e biznesit për kredi
Shifrat
Cilët janë sektorët më të kredituar dhe ecuria gjatë vitit 2012
Përqindja neto e bankave që kanë perceptuar ulje të kërkesës për kredi është 4.9% krahasuar me 5.5%
Kredia e re për ndërtimin kishte vlerën e rreth 17.7 miliardë lekëve, 6.2% më pak se një vit më parë
Në tremujorin e tretë të vitit 2012, bankat vijuan të vlerësojnë negativisht kërkesën e bizneseve për kredi, po në një masë më të vogël, krahasuar me vrojtimin e mëparshëm. Përqindja neto e bankave që kanë perceptuar ulje të kërkesës për kredi është 4.9 për qind krahasuar me 5.5 për qind tremujorin e kaluar. Sipas opinionit të ekspertëve të bankave, kërkesa ka rënë më shumë për korporatat e mëdha se sa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Gjithashtu, sipas qëllimit të përdorimit, kërkesa për kapital qarkullues vlerësohet në rritje, ndërsa për investime në rënie. Sipas vrojtimit të realizuar gjatë tremujorit të dytë të vitit 2012, pritjet e bankave për rritje të kërkesës për kredi ishin pozitive.
Nevoja për financimin e kapitalit qarkullues dhe kushtet e kreditimit të aplikuara nga bankat janë faktorët që kanë kontribuar pozitivisht në kërkesën për kredi, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012. Balancat neto rezultuan përkatësisht në rreth 34.8 për qind, 23.3 për qind. Faktori kryesor me kontributin negativ në rritjen e kërkesës, në tremujorin e tretë të vitit 2012, është situata aktuale makroekonomike.
Për tremujorin e katërt të vitit 2012, ekspertët e bankave presin që standardet e kredisë për bizneset në total të lehtësohen. Përqindja neto e bankave që presin lehtësim të standardeve shënoi vlerën 2%. Standardet priten të përmirësohen vetëm për kredinë miratuar për qëllim të financimit të kapitalit qarkullues, si për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ashtu edhe për korporatat. Bankat nuk presin ndryshime të standardeve për kredinë dhënë për qëllime investimi. Pritjet për kërkesën e bizneseve për kredi, në tremujorin e katërt të vitit 2012 janë kryesisht pozitive dhe më të larta krahasuar me pritjet gjatë vrojtimit të kaluar.
Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, për 8 muajt e vitit 2012, bankat kanë dhënë 148 miliardë lekë kredi për biznesin, me një rritje 2.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Përgjithësisht kredia e re është për nevoja afatshkurtra, ndërsa kriza ka bërë që projektet e investimeve të jenë më të pakta.
Pjesa kryesore e kredisë së re po vijon të rritet për sektorin e tregtisë. Për tetë muajt e parë të vitit, sektori i tregtisë përfitoi 61.3 miliardë lekë kredi, me një rritje 7.2 për qind ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Tregtia zë mbi 41 për qind të totalit të huas së re për biznesin, duke ngelur sektori më i kredituar i ekonomisë. Kredia e re për industrinë përpunuese ra në 18.6 miliardë lekë, ndërkohë që një vit më parë kishte vlerën e 21.4 miliardë lekëve. Kredia e re për ndërtimin kishte vlerën e 17.7 miliardë lekëve, 6.2 për qind më pak se një vit më parë. Kredia e re për sektorin e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike ra në 8.8 miliardë lekë, nga 9.6 miliardë që ishte një vit më parë. Në një vështrim të përgjithshëm, kreditimi pasqyron atë që është tendenca e ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti.
Bankat vlerësojnë negativisht kërkesën e biznesit për kredi burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip