Drejtori i bankës mban peng familjen

Artan Kadriaj deri vonë në mesnatë vazhdonte të mbante peng familjen edhe pas negociatave me RENEA-n
Nuk dihet motivi i ngjarjes, dhe kërkesat e tij. I pakonfirmuar fakti nëse kishte armë apo jo
TIRANE- Një drejtor i një dege të një banke të nivelit të dytë ne vend, shkaktoi një situatë alarmi dhe paniku, kur u njoftua se kishte marrë peng familjen e tij. Ngjarja u njoftua në rrugën "Tefta Tashko", mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00, kur sipas burimeve, Artan Kadria, drejtor i një banke të nivelit të dytë në vend, kërcënoi se do të vriste familjen.
Deri në mesnatë situata ishte ende e paqartë, pasi kishte disa versione mbi situatën. Fillimisht nga policia u tha se ai kisht marrë peng bashkëshorten dhe dy djemtë, ndërsa më pas u tha se ai kishte marrë peng edhe prindërit.
Vonë rreth mesnatës, burime të policisë dhe drejtues të saj thanë se Kadriaj ndodhej i vetëm në banesë dhe se nuk kishte persona të tjerë. Menjëherë pas dhënies së informacionit të kësaj situate, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur fillimisht patrulla të komisariatit nr.1 e më pas drejtues të këtij komisariati.
Në këtë kohë, sipas burimeve, personi që ndodhej në banesë në katin e katërt të një pallati me ngjyrë të kuqe, ka nisur të lëshojë kërcënime të ndryshme, ndërsa efektivët e policisë kanë diskutuar mes tyre edhe faktin se Kadriaj kishte edhe një armë me vete, duke bërë që policia të vlerësonte seriozisht situatën.
Nga ana tjetër, njeriu enigmatik nuk pranonte të dorëzohej apo të komunikonte me policinë problemet që kishte, apo kërkesat e tij. Kjo situatë bëri që drejtues të Policisë së Tiranës, të thërrisnin në vendin e ngjarjes, efektivët e RENEA-s të cilët janë të specializuar për ndërhyrje të kësaj natyre.
Dy negociatorë të RENEA-s, kanë nisur të komunikojnë me të, duke kërkuar të dinë se cilat ishin kërkesat e tij. Pas më shumë se dy orësh, situata është tensionuar, pasi ai ka vënë re se poshtë pallatit të shtëpisë ku ai banonte ishin mbledhur shumë njerëz dhe madje shumë efektivë të policisë.
Kjo prani e tyre e shqetësoi Kadriajn, i cili kërkoi largimin e tyre. Menjëherë policia plotësoi kërkesën e tij, duke larguar mjetet e policisë dhe efektivët me uniformë. Këta të fundit kishin krijuar një rreze prej rreth 200 metrash nga zona, duke mos lejuar njerëz të ndryshëm, apo gazetarë që të afroheshin, pranë pallatit.
Transmetimi i lajmit në mediat vizive, sipas burimeve të policisë shkaktoi edhe irritimin e tij. Deri dje në mbrëmje vonë, policia vijoi me negociatat dhe me komunikimin me të.
Herë pas here ai ndërpriste komunikimin me Policinë. Për të negociuar me Kadriajn, policia përdori në mënyrë të vazhdueshme edhe pjesëtarë të familjes së tij, për t'i mbushur mendjen Kadriajt të dorëzohej, ose së paku të zbulonte kërkesat e tij.
Ndërkaq nga reparti i forcave speciale RENEA, veç negociatorëve në vendin e ngjarjes dhe në zonën për rreth ishin edhe efektivë të ndërhyrjeve të posaçme si snajperë, apo njerëz për ngjitje me litar në lartësi të ndryshme, të gatshëm për të vepruar në çdo moment.
Gjithsesi deri në orët e para të mëngjesit, policia ka vijuar duke qëndruar në pjesë të padukshme të pallatit apo me strehë. Për disa orë ata kanë pritur që ai të lodhej ose të dorëzohej apo të njoftonte ç'kërkesa kishte.