Banorët e Marinzës hyjnë me forcë në sheshin e Bankers Petroleum

Protesta e banorëve të fshatrave të zonës naftëmbajtëse të Marinzës është zhvendosur këtë mëngjes përballë sheshit Satelit 3 të kompanisë Bankers Petroleum.
Pas protestës së dy ditëve më parë pranë zyrave të kompanisë në vendburim, ku nuk pati negociata me përfaqësuesit e Bankers, banorët kanë vijuar aksionin e tyre.
Siç kishin paralajmëruar, ata janë mbledhur sot përpara sheshit Satelit 3 dhe kanë hyrë brenda ambienteve, duke hapur me forcë derën e hyrjes.
Banorët kërkojnë që të mos ulet vlera e qirasë që marrin për tokat e tyre.
Protestuesit kundërshtojnë përgjysmimin e qirasë, nga 4 milionë lekë për dynym në 2 milionë lekë për dynym. Ata shprehen se nuk do të pranojnë ndryshimin e vlerës së qirasë dhe paralajmërojnë vijimin e protestave me bllokimin e shesheve të naftës.
Aktualisht, protestuesit ndodhen brenda ambienteve të sheshit Satelit 3, në përpjekje për të bllokuar aktivitetin e kompanisë.