E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ngërçi” i pagave ‘shtrihet’ edhe në Berat/ Gjykata e Shkallës së Parë bojkoton aktivitetin gjyqësor

Ngërçi për pagat në sistemin e drejtësisë është shtrirë edhe në Berat. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat ka bojkotuar sot aktivitetin gjyqësor, ndërsa në shqyrtim janë vetëm çështjet që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.

Shkak është bërë moskalimi i pagave të muajit për administratën e gjykatës. Pagat duhej të ishin kaluar që më 3 shtator, por deri më tani punonjësit nuk i kanë marrë.

Për shkak të bojkotit, në Gjykatën e Beratit po trajtohen vetëm çështjet me karakter të ngutshëm ose urgjent. Në këtë kategori përfshihen masat e sigurisë dhe urdhrat e mbrojtjes.

Situata lidhet me procesin e shqyrtimit të rritjes së pagave të gjyqtarëve, por vonesa ka prekur edhe administratën e gjykatave.

Bojkoti në Berat pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim, deri në momentin kur administratës t’i kalojnë pagat mujore.

Ndërkohë, sot zhvillohet edhe Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, ku pritet të diskutohet situata e krijuar në sistemin gjyqësor.

Administrata e Gjykatës së Beratit kërkon zgjidhjen e ngërçit dhe marrjen e pagave që u takojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›