E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët e Rrjollit sërish në protestë kundër punimeve për ndërtimin e një resorti turistik

Banorët e Rrjollit janë ngritur sërish në protestë këtë të martë (30 qershor), për të kundërshtuar ndërtimin e një resorti turistik në zonë. Në protestën e zhvilluar 2 javë më parë, banorët shembën rrethimin metalik dhe u futën në kantier, rrethim i cili është ngritur sërish më pas nga kompania.

Banorët bënë thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesit demokrat Sali Berisha, ndërsa akuzojnë për zaptim të tokës së tyre.

“Ne do jemi bashkë deri sa tja dalim dhe do jemi bashkë për ta shpëtuar Shqipërinë në çdo cep ku keni shkuar për të gllabëruar. Mos mendoni se ngritja e murit dhe telave është fitore. Në Parlamentin Europian është kërkuar që ligji për zonat e mbrojtura të kthehet siç ka qenë më përpara. Shqipëria po bën të kundërtën e asaj që do populli”, u shpreh një protestuese.

Projekti për resortin shtrihet në një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh ndërsa është kundërshtuar me forcë nga banorët e zonës edhe më herët, për shkak të problemeve me pronësinë e tokës. Ata pretendojnë se tokat e tyre janë grabitur me dokumente false dhe  më pas i janë  shitur kompanisë ndërtuese.

 Ata kanë depozituar një kërkesë zyrtare në Prokurori, ku kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë ligjore lidhur me vërtetësinë e dokumenteve që disponojnë për pronësinë e tokës në zonën e Rrjollit, aty ku po ndërtohet resorti turistik.

Nga ana tjetër, kompania Gener 2 ka theksuar se projekti turistik është në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›