E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijojnë kërkimet për të mbijetuar në Venezuelë, mbi 1700 persona kanë humbur jetën

Ekipet e kërkim-shpëtimit nga Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja mbërritën në Venezuelë të martën për të ndihmuar në gjetjen dhe rikuperimin e viktimave të dy tërmeteve që goditën rajonin më 24 qershor, duke u marrë jetën më shumë se 1700 personave dhe plagosur mbi 5 mijë të tjerë.

Dhjetëra mijëra njerëz mbeten të zhdukur dhe koha po mbaron për të gjetur të mbijetuar pas tërmeteve me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë, më të fuqishmit që kanë goditur kombin e Amerikës së Jugut në më shumë se një shekull.

Ushtria amerikane riparoi dhe rihapi të hënën një port detar kyç në zonën më të goditur të Venezuelës, qytetin Guaira, ndërsa vendi nisi zhvillimin e ceremonive mortore të viktimave të tërmetit të dyfishtë.

Pilotët amerikanë po ndihmojnë edhe në rivendosjen e shërbimeve në Aeroportin Ndërkombëtar “Simon Bolivar” pranë Karakasit, i cili pësoi gjithashtu dëmtime të rënda më 24 qershor.

Të hënën, një lëkundje e re me magnitudë 4.6 ballë rizgjoi frikën tek banorët e Venezuelës, të cilët tashmë qëndrojnë në strehimore të ngrtitura nga autoritetet për shkak të dëmtimeve të banesave.

Presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, raportoi se 855 ndërtesa janë dëmtuar, përfshirë 189 që janë shembur plotësisht nga dy tërmetet e javës së kaluar, por sipas një vlerësimi paraprak të të dhënave satelitore të publikuara nga agjencia hapësinore amerikane NASA, numri i objekteve të dëmtuara ose shkatërruara si pasojë e lëkundjeve vdekjeprurëse është mbi 58 mijë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›