E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët e Rrjollit sërish në protestë kundër resortit të Bashkim Ulajt, përplasje me policinë: Do hyjmë në grevë urie para SPAK-ut

Banorët e Rrjollit në Velipojë kanë dalë përsëri sot në protestë për të kundërshtuar ndërtimin e resortit “Blu Borgo” të oligarkut Bashkim Ulaj me pretendimin se ky së bashku me ish-zyrtarin e Kadastrës, Fatmir Shpellza, u kanë grabitur tokën.

Edhe sot banorët janë përplasur me policinë si dhe kanë bllokuar punimet.

Për mediat ata paralajmëruan përshkallëzim të protestave nëse nuk marrin asnjë zgjidhje prej institucioneve të shtetit.

Banorët thonë se do të shkojnë deri në grevë urie derisa SPAK të marrë në dorë çështjen e tyre.

“Ka dy javë që kemi këtë problem pa i dhënë asnjë zgjidhje institucionet shtetërore.. Ne këtë tokë nuk e lëshojmë. I bëjmë thirrje prokurorisë, trajto dosjen që keni prej 1 viti në zyra. I bëjmë gjykatë së Apelit që kemi gjyqin më datë më 19 të na japë të drejtën. I lutemi shtetin shqiptar të vërë dorën në zemër për këtë popull se po kërkon vetëm drejtësi. I bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare ti dilni në mbrojtje këtij populli që shteti i vet po e merr nëpër këmbë.

Hapi i radhës që të gjitha institucionet ndërkombëtare do ju dërgojnë një letër, do të vijojmë tek KLSH dhe të tjera që mund të na japin pak drejtësi. Pastaj nëse nuk marrim asnjë përgjigje, na ngelet të ulemi përpara SPAK në grevë urie deri sa të na marrin në dorë”, tha banorja.

Leja e ndërtimit, e firmosur më 16 janar të këtij viti, parashikon ndërtimin e një kompleksi me sipërfaqe rreth 1.46 milionë metra katrorë, i konsideruar një nga investimet më të mëdha turistike në vend.

Më 31 dhjetor 2024, Bashkim Ulaj, së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj, morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik “Blue -Borgo” nga “Gener 2”  “Aba Blue Borgo”, sh.p.k.

Ky fshat turistik me vila e hotele luksoze do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›