E Diel, 1 Nëntor 2026

FOTO-EMRI/ U shkarkua nga KPK, KPA le në fuqi vendimin për ish gjyqtaren e Durrësit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) le në fuqi vendimin e Komisonit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për të shkarkuar nga detyra ish-gjyqtaren e Durrësit Shpëtime Pitaku.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Albana Shtylla relatore, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 54/2024, datë 23.12.2024, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Shpëtime Pitaku kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 790, datë 26.07.2024.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 790, datë 26.07.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Shpëtime Pitaku.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, njofton KPA.

Kujtojmë se, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, më 26 korrik 2024, vendosi të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Durrësit, Shpëtime Pitaku.

Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Xhensila Pine, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Firdes Shulin.

Shpëtime Pitaku e ka nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Durrës.

Në vitin 2015, Pitaku u kallëzua në Prokurori nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për dyshime për fshehje pasurie, por hetimi u mbyll pa rezultat.

Skeda e pasurisë së deklaruar –Shpëtime Pitaku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›