Banorët e zonave të izoluara: Berisha jo vetëm nuk po na jep, por po na merr
Ato pak ndihma që kanë mbërritur, po shiten. Banorët thonë se u janë mbajtur para nga pagat për të ndihmuar të izoluarit (!?)
Disa nga banorët e zonave të izoluara në veri të vendit, që kanë shkuar dje për të tërhequr pagat e tyre, janë përballur me çudinë e re të qeverisë Berisha. Në pagat e tyre mungonin 10 mijë lekë të vjetra. Atyre iu është thënë se ato do përdoren për të ndihmuar zonat e izoluara nga dëbora (?!). Banorët kanë reaguar të irrituar nga ky qëndrim absurd e thonë se në vend që qeveria tu jepte diçka, po ua merr edhe ato pak para që marrin. Në shumë zona nuk ka mbërritur asnjë ndihmë, ndërsa banorët kanë nisur të lëshojnë akuza të forta se ato pak ndihma kanë nisur që të shiten me para. Sipas tyre, çmimet e ushqimeve të pakta në dyqane kanë arritur kulmin, por tani u duhet të blejnë atë mall që ka mbërritur për ndihmë.
Ngritja e temperaturave megjithatë ka bërë që banorët të marrin frymë lirshëm pasi tani pritet edhe shkrirja e dëborës. Siç duket një lajm i tillë i ka dhënë krah kryeministrit të dalë në media dhe të flasë për triumf. Pyetja është pse nuk shkoi në parlament të dilte para deputetëve dhe shqiptarëve dhe të shpjegonte këto arritje gjigande.