Banorët, në protesta për mungesën e ujit
Banorët e fshatit Maliq janë ngritur në protesta për ujin e pijshëm. Një pjesë e fshatit nuk furnizohet me ujë prej vitesh, për shkak të rrjetit të dëmtuar. Kjo pasi ujësjellësi është ndërtuar në terren të prekur nga rrëshqitjet. Edhe pse është bërë një investim i pjesshëm në rrjet, sipas banorëve jo të gjitha familjet përfitojnë furnizimin e rregullt me ujë, ndërkohë që për shkak se pusetat janë të hapura, uji që vjen në pjesën tjetër të familjeve të zonës, është i ndotur dhe i pakonsumueshëm. Banorët e fshatit Maliq kanë reaguar me bllokimin e rrugës së fshatit, pasi sipas tyre uji vjen me mbeturina, ndërsa të paktën 300 banorë nuk kanë ujë në familjet e tyre. “Uji vjen i ndotur. Nuk pihet dhe as përdoret për larje, se në shumë raste vjen me dhe, mban erë të keqe”, thonë banorët. Ata mbushin bidonë në burime sa për të pirë. Banorët janë të detyruar të ecin në këmbë çdo ditë për të siguruar ujin e pijshëm. Kjo situatë ka bërë që familjet e zonës të dalin në protesta. Gjatë muajve të dimrit, banorët e zonës kanë përdorur për konsum ujin e shiut dhe dëborën e shkrirë. Por me ndërrimin e stinëve, ata thonë se do ta kenë të papërballueshme jetesën në mungesë të ujit. E njëjta protestë për ujin e pijshëm ka përfshirë edhe lagjen Qesarat në qytetin e Maliqit. Të 600 banorë të kësaj lagjeje nuk kanë ujë prej 13 vjetësh, pasi në këtë zonë nuk kalon rrjeti furnizues. Sipas bashkisë, këto dy zona janë në varësi të Drejtorisë së Ujësjellësit të fshatit, edhe pse duhet të administroheshin nga ana e Bashkisë. Ndërkohë nga Drejtoria e Ujësjellësit bëhet e ditur se në fshatin Maliq është kryer riparimi i ujësjellësit dhe është bërë shtrimi i linjës pas dëmtimeve nga rrëshqitjet, por zona ku ndodhet depoja ka qenë gjithnjë problematike, për faktin se toka rrëshqet vazhdimisht.
#