E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strehimi, gati lista për kreditë e lehtësuara

Këshilli Bashkiak i Tiranës do të miratojë emrat e përfituesve nga ky program

Komisioni i Strehimit pranë Bashkisë së Tiranës ka kaluar në Këshillin Bashkiak listën e personave që plotësojnë kriteret për të përfituar kredi të lehtësuar nga shteti.

Bashkia e Tiranës, për vitin 2010, është duke aplikuar programin e kredive të lehtësuara nga shteti, në kuadrin e programit të banesave me kosto të ulët, i cili mundëson ndarjen e rreth 1000 kredive. Në këtë kuadër, Drejtoria e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social ka nxjerrë njoftimet zyrtare në Zyrën e Informimit të Qytetarëve, në Njësitë Bashkiake të qytetit të Tiranës, për të gjithë qytetarët/familjet që kanë paraqitur pranë zyrave përkatëse në bashki, kërkesën për strehim në Programin e Banesave me Kosto të Ulët dhe që kanë nivelin e të ardhurave në kufijtë: 31,007-51,249 lekë për familje të përbëra nga 1-2 persona, 41,865–65,964 lekë për familjet të përbëra nga 2-3 persona, 54,153–84,035 lekë për familjet të përbëra nga 3-4 nga persona, 68,585–107,142 lekë për familjet të përbëra nga 4-6 persona.

Të gjithë qytetarët e interesuar kanë pasur mundësi që të aplikonin për të përfituar nga trajtimi me Programin e Banesave me Kosto të Ulët sipas udhëzimit “Mbi përcaktimin e masës së subvencionit për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti”, të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, si dhe Ministrisë së Financave, me dhënien e rreth 1000 kredive.
Ata kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar pranë Bashkisë së Tiranës, i cili është shqyrtuar fillimisht nga Sektori i Strehimit në Drejtorinë e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social dhe pastaj nga Komisioni i Strehimit.

Tanimë, është Këshilli Bashkiak i Tiranës si organ vendimmarrës, i cili shqyrton dhe miraton listën e përfituesve për programin e kredive të lehtësuara nga shteti.

Sipas këtij programi, aktualisht, janë miratuar me vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës të 26 tetorit të vitit të kaluar 55 familje, si dhe 90 të tjera, lista emërore e të cilëve i është dërguar Bankës Kombëtare Tregtare.

Ndërsa familjet që figurojnë qiramarrës në banesat, pronë e subjekteve të shpronësuar në bazë të udhëzimit mbi “Përcaktimin e masës së subvencionit për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti”, duhet të drejtohen pranë Entit Kombëtar të Banesave, pasi do të paguajnë vetëm principalin e kredisë me interes 0%.

Familjet të cilat plotësojnë kriterin e të ardhurave kanë dorëzuar më parë një sërë dokumentesh që janë vlerësuar dhe verifikuar nga autoritetet përkatëse. Ndër të gjithë aplikantët fitues janë shpallur ata që kanë fituar pikët maksimale sipas sistemit të pikëzimit të miratuar nga Këshilli Bashkiak i kryeqytetit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›