Italia njeh sigurimet për shqiptarët
Punësimet sezonale në vendin fqinj, për të cilat aplikimi masiv ka qenë në mënyrë individuale, do të realizohen nëpërmjet ndihmës së Ministrisë së Punës. Sipas marrëveshjes së bashkëpunimit që dy vendet kanë nënshkruar, të interesuarit për punësim sezonal duhet të marrin nëpërmjet Ministrisë së Punës, asistencën, trajtimin e nevojshëm për profesionin, legjislacionin në fuqi, si dhe instruktimet e nevojshme, sipas kushteve të pranuara. Të gjitha këto diskutime kanë qenë pjesë e çështjeve të ngritura dje në takimin bashkëpunues mes Ministrisë së Punës dhe Shanseve të Barabarta, Ambasadës Italiane në Tiranë si dhe Zyrës së Misionit të IOM. “Nisur nga gjendja ekonomike dhe punësimi, ne e shohim si përparësi kanalizimin e dërgesave të emigrantëve në zhvillimin ekonomik të vendit”, tha ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera. Gjatë takimit u theksua se Shqipëria dhe Italia ndodhen në fazën e përfundimit për nënshkrimin e një tjetër marrëveshjeje të rëndësishme mes dy vendeve, e cila parashikon njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore. Por për më shumë të dhëna, informacioni do të jepet në kohën e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje. Në aktivitetin e organizuar për çështjet e emigracionit, mbi politikat e ardhshme si dhe projektet lehtësuese, merrnin pjesë ambasadori italian në Shqipëri, Saba D’Elia, shefja e misionit të IOM në Tiranë, Nicoletta Giordano dhe drejtori i Zyrës Konsullore të Ambasadës së Republikës Greke në Tiranë, Dimitrios Saharides.
Punësimi sezonalSipas Kserës, si qëllim në politikat e punës është nxitja e punësimit sezonal, si alternativë e migracionit të përhershëm për qëllime punësimi dhe nxitjen e kthimit të emigrantëve të kualifikuar. “Duke qenë e interesuar për kushtet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit, qeveria është angazhuar për të ndihmuar në integrimin social, kulturor, ekonomik të emigrantëve në vendet pritëse, duke e gërshetuar këtë me ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë shqiptare”, sqaroi ministri i Punës.
Sipas tij, përpjekjet e përbashkëta për menaxhimin e flukseve të emigrantëve janë finalizuar me një marrëveshje të përbashkët të nënshkruar me qeverinë italiane për migrimin për arsye punësimi.
Në qendër të problematikave migratore në shoqërinë e sotme janë menaxhimi i remitancave, zgjerimi i kanaleve dhe korridoreve të lëvizjes së tyre drejt vendeve të origjinës së emigrantëve.
Një plan i mirorganizuar midis përdorimit të remitancave dhe rritjes ekonomike, punësimit e formimit profesional, si edhe bashkëveprimi midis emigrimit dhe zhvillimit, si dhe emigrimit dhe integrimit, është lancuar dje si plan nga ministri Ksera.
Sipas tij, kapitali financiar i migracionit ka një rëndësi të madhe për vendin, sepse jo vetëm mbështet jetën e familjeve shqiptare dhe përmirëson cilësinë e tyre të jetës, por edhe nxit zhvillimin ekonomik të vendit, krijon vende pune, ofron shërbime e prezanton teknologji të reja.
Mes përfaqësuesve të institucioneve pjesëmarrëse në konferencë, dje u theksua se përdorimi më i efektshëm i remitancave do të bëjë të mundur që emigracioni të shërbejë si një faktor i pazëvendësueshëm zhvillimi dhe integrimi dhe emigrantët jo vetëm si ura të miqësisë e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe vendeve pritëse, por edhe si mbështetës, sponsorë e përfitues të këtij bashkëpunimi.
#