E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët rrëfejnë natën e tmerrit në Himarë: Flakët erdhën për pak minuta, u evakuuam në kohë

Banorët e Himarës rrëfejnë momentet e frikës dhe panikut gjatë natës, kur flakët iu afruan banesave dhe zjarri u përhap me shpejtësi në kodrat pranë qytetit. Përballë rrezikut, turistët u evakuuan për siguri, ndërsa banorët thonë se qëndruan në terren dhe u përpoqën të ndihmonin në përballimin e flakëve.

Një prej banoreve tregon se turistët që qëndronin në ambientet e saj të akomodimit u larguan në kohë.

“Situata është normalizuar. Kaluam momente të vështira, por sikur çdo gjë u normalizua. Unë kam ambiente shërbimi dhe të gjithë turistët u evakuuan në kohën e duhur, për sigurinë e tyre dhe tonën. U thamë të zbresin poshtë, në qendër, derisa të qetësohej gjendja. Kishim gjashtë dhoma me të huaj. Kemi komunikuar dhe na kanë çuar mesazhe për të pyetur kur mund të vinin dhe nëse ishte e sigurt të ktheheshin”, tha një banore.

Një tjetër banore përshkruan me ankth momentin kur flakët u përhapën nga kodrat drejt zonës së banuar. Ajo thotë se zjarri u përhap brenda pak minutash dhe dogji ullishtet.

“Sapo fiknim pemët, vinte një erë dhe na i hidhte flakët nga lart përsëri. Zjarri na erdhi direkt nga lart. Mezi kemi shpëtuar. Na janë djegur ullishtet. Për 10 minuta u larguam të gjithë, sepse zjarri erdhi për sekonda. Turistët i pamë të gjithë të iknin me valixhe”, tha ajo.

Një tjetër banore tregon se ndërhyrja e policisë i shpëtoi nga flakët që pushtuan shtëpinë në pak minuta.

“Erdhi zjarri nga lart dhe për 10 minuta u bë gjithçka. Erdhën policët, na nxorën dhe na shpëtuan. Janë djegur shtëpitë, ishin të banuara, por policia na nxori në kohë dhe na largoi. Në zonën tonë janë djegur dy shtëpi”, tha një banore.

Për banorët e Himarës, ajo që ndodhi gjatë natës mbetet një prej momenteve më të vështira që kanë përjetuar.

“Situata gjatë natës ishte një tmerr”, shprehet një tjetër banor.

Tashmë situata në qytet është më e qetë dhe rreziku për zonat e banuara është shmangur, ndërsa zjarri vijon të monitorohet në zonat kodrinore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›