E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarret në Himarë, prefektja Alushi: Rreziku për zonat e banuara është shmangur

Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Alushi, ka dhënë një përditësim mbi situatën e zjarreve në Himarë, ku prej ditës së djeshme forcat e emergjencave vijojnë të jenë në terren për monitorimin dhe kontrollin e vatrave.

Alushi tha se gjatë orëve të para të mëngjesit situata paraqitet e përmirësuar dhe po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm. Në terren kanë mbërritur forca shtesë nga Delvina, Vlora dhe Saranda, si dhe Forcat e Armatosura.

Sipas saj, në zonë ka mbërritur edhe helikopteri i parë për ndërhyrjen nga ajri, ndërsa pritet që operacionit t’i bashkohet edhe një helikopter tjetër.

“Jemi sërish në terren duke monitoruar situatën me të gjitha forcat që kanë qenë prezente që nga beteja e djeshme. Kanë ardhur në ndihmë Delvina, Vlora, Saranda dhe Forcat e Armatosura. Në orët e para të mëngjesit situata është përmirësuar dhe mbahet nën monitorim”, u shpreh Alushi.

Ajo sqaroi se gjatë ditës së djeshme rreziku ishte afruar edhe pranë zonave të banuara, veçanërisht në Potam, ndërsa aktualisht një situatë e tillë nuk paraqitet.

Sa i përket zonës së kodrës së Pilurit, Alushi tha se flakët janë nën kontroll, por vatra vijon të monitorohet për të shmangur çdo përhapje të mundshme.

Nga zjarri janë prekur gjashtë banesa, tre të banuara dhe tre të pabanuara. Ndërkohë, 36 banorë janë evakuuar, por jo për shkak se banesat e tyre janë djegur, por si masë parandaluese përballë rrezikut nga flakët.

Vlerësimi i plotë i dëmeve do të bëhet pasi situata të përmirësohet më tej dhe ekipet e Bashkisë të dalin në terren për të evidentuar pasojat e zjarrit.

Pavarësisht përmirësimit të situatës, forcat në terren vijojnë monitorimin, ndërsa ndërhyrja nga ajri mbetet një nga masat kryesore për kontrollin e vatrave ende aktive.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›