Banorët te Margarita Tutulani, padi Për shkelje ligjore Entit të Banesave
Tiranë- Banorët e pallatit pranë rrugës ‘Petro Nini Luarasi’ kanë ngritur një padi penale ndaj Entit të Banesave ‘Për shkelje ligjore’.
Sipas Gjebia, “Enti ka vënë në lëvizje gjykatën për urdhrin e ekzekutimit. Akti normativ është për lirimin e banesave të ish- pronarëve, ndërsa urdhri i gjykatës bazohet në një certifikatë pronësie trualli”,- është shprehur Agron Gjebia, për përfaqësues ligjor i banorëve.
Grevistët që kanë prej shtatë ditësh tek rruga Margarita Tutulani, po rëndohen dita ditës nga gjendja shëndetësore.
Ramazan Lile dhe Islam Naze kanë pranuar mëngjesin e sotëm të marrin ndërhyrjen mjekësore. Ndërkohë që pranë çadrave të tyre ka vajtur sot edhe deputeti socialist Sajmir Tahiri, për herë të tretë që kur ka nisur çështja e nxjerrjes nga shtëpitë e këtyre familjarëve.
Pranë ambjenteve të grevës ndodhet e vendosur edhe një makinë ambulance, për çdo urgjencë shëndetësore.
Aktualisht në grevë janë 10 persona, pasi katër të moshuara u larguan për shkak të problemeve shëndetësore.
Në një deklaratë për mediat mjeku Fatos Karaulli u shpreh se gjendja e tyre ka nisur të përkeqësohet, ndërsa ka thënë se duhet të merren mjekime të vazhdueshme. Kjo pasi sipas tij disa janë të moshuar dhe kanë çrregullime tensioni.
Vetë banorët shprehen se do të vijojnë grevën deri sa shteti të gjejë një zgjidhje, pasi ta kanë mbetur në mes të katër rrugëve, për shkak se ata janë pensionistë dhe të papunë, nuk përfitojnë dot kredi në mënyrë që të blejnë një banesë tjetër.
Më herët grevistët kanë refuzuar edhe propozimin e kreut të bashkisë Lulzim Basha për mundësimin e sistemimit të menjëhershëm në banesa me qira, derisa të ketë mundësi t’i sistemojë me 3 programet për strehim: Banesat sociale, kreditë e buta ose bonusi i qerasë që ofron Bashkia e Tiranës.