E Diel, 1 Nëntor 2026

Liria e medias, Shqipëria rritet me 2 pikë. Duhet më pak ndërhyrje politike

liria-e-medias-ne-shqTiranë- Në raportin e këtij viti në Freedom House, Shqipëria renditet me 49 pikë, duke shënuar kështu një rritje me 2 pikë në krahasim me vitin e kaluar.

Drejtoresha e Projektit për Lirinë e Shtypit në Freedom House, Karin Karlekar është shprehur se kjo është një prirje pozitive për vendin tonë, duke theksuar se nuk ka patur dënime ligjore për shpifje ndaj gazetarëve apo vetë medias.

“Në renditjen e këtij viti pamë një përmirësim për Shqipërinë. Rezultati për Shqipërinë u rrit me dy pikë, pra është një prirje pozitive krahasuar me atë që kemi parë vitet e fundit. Një nga zhvillimet pozitive që kemi vënë re është eliminimi i dënimeve me burgim për rastet e shpifjes në sferën legale. Mendoj se kjo solli si rezultat përmirësim më të gjerë në mjedisin e medias”, tha Karlekar.

Por nga ana tjetër, në sferën ligjore, Karlekar vëren se ka mospërputhje mes klauzolave ligjore dhe standarteve ndërkombëtare.

Po ashtu, ka raste sulmesh dhe shqetësimesh ndaj gazetarëve, që mbulojnë ngjarje, dhe ky është një shqetësim i vazhdueshëm. Ka shqetësime edhe për anën ekonomike, përsa i takon pronësisë dhe përqendrimit të organeve të medias, si dhe njëanshmërisë së tyre.  Por, në përgjithësi, rezultati numerik për Shqipërinë ka qenë i qëndrueshëm vitet e fundit dhe ky vit ishte pozitiv falë përmirësimit ligjor, tha Karlekar.

Karlekar drejton një apel të qartë se çfarë i duhet Shqipërisë të bëjë më shumë në reformat për të arritur një liri të plotë të medias:

Do të duheshin më shumë reforma ligjore, më shumë liri informimi, një ambjent më i hapur rregullator, si dhe më pak ndërhyrje politike në përmbajtjen e medias dhe në ambjentin ekonomik. Pra, ka probleme në të gjitha aspektet, që po e frenojnë Shqipërinë, tha Karlekar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›