Barazia gjinore në biznes dhe ligj, BB: Shqipëria ngjitet në vendin e 36-të

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Banka Botërore vlerëson përparimin që ka bërë Shqipëria në drejtim të barazisë gjinore në ligj dhe biznes për femrat.
Gjatë 30 viteve të fundit, sipas raportit të Bankës Botërore “Gratë, Biznesi dhe Ligji”, Shqipëria është ngjitur në renditje, duke e përmirësuar rezultatin e saj nga 59,4 në 91,3 pikë dhe duke u pozicionuar në vendin e 36-të nga 190 vende.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas 2025, BB vlerësoi fuqinë dhe potencialin e grave dhe vajzave në transformimin ekonomik dhe social të shoqërisë.
Banka Botërore ka mbështetur Shqipërinë në zgjerimin e barazisë gjinore, duke krijuar vende të reja pune, duke forcuar mbrojtjen ligjore dhe duke promovuar mundësi të barabarta në arsim, si dhe fuqizimin e grave në drejtim dhe në vendin e punës.
Këto reforma, vlerëson BB, po sjellin ndryshim të vërtetë në ndërtimin e një të ardhme të qëndrueshme në Shqipëri.
BB thekson se, zbatimi në vendin tonë i projektit të parë të këtij lloji, për Politikat e Zhvillimit, me fokus barazinë gjinore, ka luajtur një rol kyç në nxitjen e reformave kryesore, duke vendosur një precedent të fortë për politikat që fuqizojnë gratë.
/r.e/a.f/