E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Histori suksesi në QSUNT, Veshti: Foshnja me membranë në zemër, e shpëtuam pas 10 arresteve kardiake

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është shënuar një tjetër rast suksesi, falë ekipit të kardiokirurgjisë në drejtimin e kardiokirurgut Altin Veshti. Një foshnje vetëm dy muaj e gjysmë, sot gëzon shëndet të plotë pas 10 arresteve kardiake dhe ndërhyrjes kirurgjikale për heqjen e membranës në anën e majtë të zemrës.

Sipas njoftimit të QSUNT-së, Branel është vogëlushi vetëm 2,5 muajsh, i cili pak javë më parë mbërriti në Reanimacionin Pediatrik në gjendje kritike për jetën, me një problematikë të rëndë kardiake. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të kardiokirurgut dr. Altin Veshti dhe punës së palodhur të ekipit të kardiokirurgjisë, Branel përballoi mbi 10 arreste kardiake, duke sfiduar çdo pritshmëri.

“Kam pasur probleme gjatë shtatzënisë, vizitat të gjitha i kam bërë. Lindja ka qenë shumë e mbarë. Por, ne nuk e kishim kuptuar që fëmija kishte një problem, një shtresë membrane në anën e majtë të zemrës, që i kishte penguar qarkullimin e gjakut. Kur erdhëm në spital, menduam se ishte thjeshtë një vizitë, por gjendja e djalit ishte shumë e rëndë. Bëmë një eko, ekoja e nxori pengesën që kishte në zemër pastaj ata na çuan me urgjencë te kardiokirurgjia. Aty takuam doktor Altinin dhe stafin e mjekëve. Për mua janë heronj të gjithë. U bë operimi, operimi doli me sukses dhe djali është për mrekulli, i ka kaluar të gjitha”, thonë prindërit e vogëlushit.

“Fëmija në moshën dy muaj e gjysmë paraqitet me urgjencë në reanimacionin e Pediatrisë në QSUNT, në gjendje shumë të rëndë. Fëmija ishte i nxirë, rënkonte, mezi prekej pulsi, mezi reagonte. Kthehemi me urgjencë dhe bëjmë një eko, ku u zbulua që fëmija kishte një defekt të lindur të zemrës, një membranë në atrumin e majtë që shkaktonte të gjithë këtë situatë klinike. Fëmija iu nënshtrua me urgjencë ndërhyrjes kirurgjikale të heqjes së membranës dhe sot gëzon shëndet të plotë në aspektin kardiak dhe neurologjik”, shprehet një prej mjekeve të Pediatrisë.

Nga ana e tij, kardiokirurgu Veshti thotë se ky rast është një nga të shumtët që operohen në QSUNT.

“Ne operojmë dy fëmijë me defekte në zemër çdo javë, dhe këtu janë operuar mbi një mijë fëmijë në periudhën që jam këtu. Ky është rast unik, sepse ka ardhur në gjendje shumë të rënduar në Pediatri. Reanimacioni i Pediatrisë në bashkëpunim me shërbimin e kardiokirurgjisë, të udhëhequr nga Mira Kola, brenda gjysmë ore është transferuar në reanimacion.

Është pritur nga një prej anestezistëve tanë, Ervin Bejko, që e ka intubuar bebin duke evituar një arrest kardiak. Mbi 10 herë zemra e tij pësoi arrest dhe mbi 10 herë e kemi animuar me masazhe dhe me asistenca të tjera. Shpresat tona ishin në nivele jo të larta duke parë dëmtimin e rëndë në mushkëri dhe zemër dhe atë natë u bë një dedikim total ndaj këtij fëmije, pa u ulur një minutë gjatë gjithë natës. Sot, ky fëmijë pas tri javësh po bëhet gati të shkojë në shtëpi i shëruar totalisht”, cilëson kardiokirurgu Veshti.

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›