Barazimi me Malin e Zi, “plas” te Holanda

Polemika tek Holanda për kombëtaren portokalli, e cila nuk ka qenë e zonja të kualifikohet për në Kampionatin Botëror “Katar 2022” në ndeshjen ndaj Malit të Zi. Nga 0-2 në 2-2 në rezultatin përfundimtar, që ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha mes tifozëve, por edhe vetë lojtarëve të skuadrës. Pas ndeshjes kapiteni Virxhil Van Dajk ka komentuar me tone të ashpra paraqitjen e tij dhe të shokëve të tij për mikrofonët e NOS.
“Është thjeshtësisht skandaloze për mënyrën se si kemi luajtur në pjesën e dytë. Të gjithë donim të kishim topin, të gjithë donim të luanim futboll, të sulmonim dhe të shënonim. Por do të duhet ta bënim në mënyrë të atillë që të mendonim dhe për fazën mbrojtëse”, ka thënë mbrojtësi i Liverpulit. Dhe më tej vazhdon: “Kemi lënë hapësira në kundërsulm dhe nëse nuk ke organizimin e duhur… Është thjeshtësisht e tmerrshme.
Megjithë respektin për Malin e Zi, Holanda duhet ta kishte fituar këtë ndeshje, sidomos kur je në avantazh 2-0. Ndoshta ka qenë pak nënvlerësim dhe përtesë për të çuar deri në fund këtë ndeshje. Duhet ta kishim luajtur me kujdes të madh pjesën e mbetur. Tani do të shohim se çfarë do të ndodhë të martën ndaj Norvegjisë në një stadium të boshatisur”.