E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barça, më e vlefshmja

Barcellona fiton çdo kund, kjo dihet. Por, skuadra që fitoi 6 trofe në vitin 2009, prin edhe sa i përket vlerës së lojtarëve të saj. Të paktën këtë vlerësim e jep uebfaqja gjermane, transfermarkt.de, që merret me vlerën ekonomike reale të futbollistëve.

Sipas një studimi të bërë për vlerën e futbollistëve të skuadrave evropiane, vlera globale e 21 futbollistëve që ushtrojnë ditë për ditë me Guardiolan është 514 milionë euro.

Uebfaqja gjermane nuk i ka përfshirë klauzolat monstruoze të vëna nga klubet e La Ligas (valide vetëm në Spanjë), por është munduar ta publikojë faktin se sa kushton një futbollist.

Futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi, është vlerësuar 80 milionë euro, ndoshta më pak sesa vlera e tij reale, derisa Cristiano Ronaldo, i paguar 94 milionë euro nga Real Madrid, për Transfermarkt vlen 75 milionë.

Në bazë të këtyre kritereve, Premierliga është kampionati me vlerën e përgjithshme më të lartë: 3.2 miliardë euro, e ndjekur nga La Liga: 2.6, Serie A: 2.4, Bundesliga: 1.6 e Ligue 1 franceze: 1.5.

Kampionati anglez ka 6 skuadra, vlera e përgjithshme e së cilave i kalon 200 milionë euro: Chelsea, Manchester United, Liverpool, Arsenal, Manchester City e Tottenham, karshi 4 klubeve spanjolle (Barça, Real, Valencia e Siviglia) e 5 italiane (Inter, Juventus, Milan, Roma e Fiorentina).
Nëse e shikojmë klasifikimin e klubeve, Premierliga ia lëshon vendin La Ligas, sepse Barcelona e Real Madrid zënë dy pozitat e para me 514 e 473 milionë euro. Më pas renditen Chelsea (436), Manchester United (374), Inter (360), Liverpool (321), Arsenal (304), Juventus (266), Milan (251), Bayern Munchen (239).

Pas Messi, Barcelona fiton edhe falë mesfushorëve Xavi (65 milionë) e Iniesta (60 milionë). Për t’i gjetur futbollistët tjerë të kushtueshëm, nevojitet të shkojmë në Angli: Fabregas vlerësohet 55 milionë euro, Rooney 53, Gerrard e Torres 50, njëjtë si francezi i Bayern Munchen, Franck Ribery. Lampard vlerësohet 45 milionë, njëjtë si Ibrahimovic, edhe pse në realitet është paguar 69 milionë euro nga Barça.

Nëse e lëmë klasifikimin e më të kushtueshme, vlen të theksohet se vlera e sulmuesit të Milanit, Pato është 35 milionë, njëjtë si sulmuesi i Realit, Karim Benzema. Portieri i Juventus, Giggi Buffon vlerësohet 30.5, kurse Iker Casillas, 32 sish). Mbrojtësi i Inter, Maicon vlen 30 milionë, kurse mesfushori i Bordeaux, Yoann Gourcuff, 24, një milion më shumë se mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›