E Diel, 1 Nëntor 2026

Barca në çerekfinale të Copa Del Rey

Duket se skuadra e Barcelonës ka vendosur që t'i fitojë të gjitha kompeticionet këtë sezon. Blaugranët të mërkurën mbrëma dolën fitues kundër Atletico Madridit me rezultat 2-1, në ndeshjen e zhvilluar në Camp Nou të vlefshme për Kupën e Mbretit. Ndeshja e parë ndërmjet këtyre dy skuadrave e zhvilluar në shtëpi të Atleticos kishte përfunduar me rezultat 3-1 në favor të Barcelonës, prandaj kryeqytetasit duhej ta përmbysnin këtë rezultat në kështjellën e katalunasve. Pavarësisht se mysafirët ishin të parët që krijuan avantazhin me anë të Sinama Pongolle (24'), katalunasit, ashtu siç janë mësuar, nuk lejuan të turpëroheshin para tifozëve të tyre, edhe pse kishin avantazhin nga takimi i parë. Blaugranët qëndruan në disavantazh vetëm pesë minuta, pasi që Bojan Krkic barazoi rezultatin në 1-1. Fitoren vendasve ua siguroi Eidur Gudjohnsen , i cili shfrytëzoi një top të kthyer pas gjuajtjes së Andres Iniestas për ta shënuar golin e fitores (76').

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›