Barcelona, fatlume

Barcelona është aktualisht njëra prej ekipeve më të fuqishme në futbollin botëror. Gjiganti katalan në vitet e fundit ka dominuar në futbollin spanjoll, por edhe në shkallën kontinentale duke fituar tituj të njëpasnjëshëm dhe dominuar në mënyrë të paparë në të kaluarën.
Mirëpo, përveç talentit të padiskutueshëm që ka në dispozicion trajneri Pep Guardiola, nga La Liga vjen një statistikë interesante sa i përket gjigantit italian. Barcelona është skuadra që ka përfituar nga numri më i madh i autogolave, më tepër se cilido klub tjetër në botë në historinë e saj të ekzistimit.
Nga debutimi i saj në kampionatin iberik e deri më sot, Barcelona ka përfituar 112 autogola të ‘dhuruar’ nga kundërshtarët e saj.
‘Dhurata’ e fundit që i është bërë Barcelonës – që edhe ashtu nuk e ka problem shënimin e golave kur në repartin sulmues ka aktualisht futbollistin më të mirë në botë Lionel Messi dhe sulmues si David Villa, Pedro Rodriguez e Alexis Sanchez – është ajo e fundjavës së shkuar nga Joao Miranda, mbrojtës i Atletico Madridit dhe i Kombëtares braziliane, i cili me gabimin e tij i mundësoi gjigantit katalan të kalojë në epërsi 1-0.
Ndeshja përfundoi me rezultat të thellë në favor të tyre, 5-0. Sikur nuk mjaftonte, Barcelona jo vetëm se është skuadra që ka përfituar nga numri më i madh i autogolave, por është edhe ekipi që deri më tani gjatë këtij sezoni në La Liga ka marr më së tepërmi ‘ndihmesë’ nga kundërshtarët.
Autogoli nga Miranda nuk është i vetmi këtë edicion. Mbrojtësi i Osasunas, Ruben Gonzales kishte shënuar në portën e skuadrës së tij në kapitullimin e tyre ndaj Barcelonës që i mposhti me rezultat 8-0. Çka të thuhet më tepër, sikur ekziston nevoja.