Fredrikstad ia sheh hairin Gashit

Ekipi norvegjez Fredrikstad ia ka parë hairin futbollistit kosovar Ardian Gashi. Ky i fundit u shpall kampion të dielën me Helsingborgun në kampionatin suedez, pasi një vit më parë e kishte fituar Kupën e Suedisë.
Ish ekipi i mesfushorit ofanziv, Fredrikstad përfitoi 80 mijë euro nga bonuset, pasi që kur Gashi ishte transferuar në ekipin nga Allsvenskan në vitin 2010, në marrëveshje përmendej një pikë, në të cilën thuhej se klubi norvegjez do të shpërblehej në rast se Helsingborg shpallet kampion.
Ndërkohë, mediat norvegjeze kanë filluar të shkruajnë se 30 vjeçari mund të rikthehet te klubi i vjetër Fredrikstad, pasi përfundoi kampionati suedez. Futbollisti nga Gjakova e kishte përsëritur disa herë se dëshiron të kthehet në Norvegji, për të qenë më afër familjes. Mirëpo, klubi norvegjez nuk dëshiron të ngutet, pasi që duhet t’i qartësojë disa gjëra para se të mendojë për rikthimin e Gashit.
“Ne e dimë se ai dëshiron të kthehet në Norvegji. Gashi është lojtar shumë i mirë. Mirëpo, së pari duhet ta kemi të qartë se si do ta përfundojmë kampionatin, e më pas të vendosim”, ka thënë drejtori sportiv i Fredrikstad, Joacim Jonsson për ueb faqen norvegjeze fb.no.
Më saktësisht, Fredrikstad është në rrezik për të rënë nga liga, pasi që gjendet në pjesën e poshtme të tabelës. Nëse mbetet në elitën e futbollit norvegjez, atëherë ky ekip mund ta kthejë përfaqësuesin kosovar. Natyrisht, Gashi do të duhej të pranonte t’i zvogëlohej rroga, ngase në Norvegji klubet i paguajnë lojtarët më pak në krahasim me Suedinë.