E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona në krye, fitoi 4-1 ndaj Malagan

Nga Altin Latifi
Barcelona ka marrë kreun e kampionatit spanjoll, pas ndeshjeve të javës së 9-të. Katalanasit kanë arritur fitoren e 10-të radhazi, duke përfituar mjaft mirë edhe nga ndalesat e dy rivalëve të tjerë, Valencia e Real Madrid. 

SPANJE- Barcelona ka vazhduar serinë e fitoreve në kampionatin spanjoll, duke përfituar edhe nga ndalesa e Valencias dhe Realit të Madridit. Katalanasit kanë mposhtur 4-1 Malagan në transfertë, një rezultat që u jep atyre vendin e parë në tabelën e renditjes, me 22 pikë. Ksavi Hernandez shënoi dy herë, ndërsa Lionel Mesi dhe autogoli i Uelligton plotësojnë pokerin e ekipit të Guardiolës. Në krahun tjetër, për skuadrën vendase shënoi Duda. Kjo ishte fitorja e 10-të radhazi për Barcelonën mes kampionatit dhe Ligës së kampioneve, duke treguar qartë formën e mirë që po kalon kjo skuadër. Ndeshja me Malagan ka shënuar edhe një episod të pakëndshëm për Lionel Mesin, yllin e skuadrës katalanase. Argjentinasi ka pështyrë mbrapa shpine lojtarin e Malagas Duda, një gjest i ngjashëm me atë të Françesko Totit ndaj danezit Poulsen në Europianin e vitit 2004.
Ndërkohë, Reali i Madridit ka patur një tjetër ndalesë në javës e 9-të. Madrilenët nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 në fushën e Almerias. Kapiteni Raul Gonzales realizoi në minutën e 38-të të pjesës së parë, duke krijuar idenë se do të ishte një fitore e lehtë. Por, vendasit arritën të barazonin 8 minuta para përfundimit, duke marrë një pikë mëse të merituar. Pas kësaj ndeshje, Reali mbetet në vendin e tretë me 20 pikë, dy më pak se Barcelona e vendit të parë. Ndërkohë, Valencia ka pësuar humbjen e parë në shtëpi për këtë sezon, duke u mposhtur 4-2 nga Rasing Santander. Miqtë u udhëhoqën nga sulmuesi nga Burundi Muhamed Çite, i cili realizoi tre gola në këtë ndeshje. Golat e David Vijës dhe të Hoakin sa ndezën shpresat e Valencias, e cila nuk mundi të marrë asnjë pikë. Në takimet e tjera, bie në sy fitorja 4-1 e Vilarealit ndaj Atletiko Bilbaos si edhe humbja e dytë radhazi për Seviljen, në fushën e Vajadolid. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›