E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi i pronave, 30 ditë afat për dokumentacionin

Nga Genc Kondi
Nga dita e djeshme, ish pronarët kanë 30 ditë afat që të paraqesin dokumentacionin e kërkuar nga ligji. Kompensimi, do të bëhet vetëm për deri 200 m2 të sipërfaqes së caktuar. 

TIRANE- Nga dita e djeshme ka filluar procesi, që po ndiqet prej shumë vjetësh tashmë, i caktimit të fondit prej 500 milionë lekësh të reja për ish-pronarët që nuk mund të përfitojnë nga kthimi fizik i pronave. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave të këtij viti, që përcakton kriteret e dhënies së këtyre parave, subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është e njohur e gjitha për kompensim dhe që nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme, kompensohen sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri i vendimit dhe data e tij, sipas viteve. Kompensimi do të bëhet si edhe vitet e kaluara, vetëm për deri 200 m2 të sipërfaqes së caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet.
Subjektet që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006 dhe 2007 dhe vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2008. Depozitimi i kërkesave ka një afat prej 30 ditësh.
Pas dorëzimit të dokumentacionit nga ish-pronarët, zyra e AKKP-së në qendër, në bashkëpunim me zyrat rajonale do të shqyrtojë dokumentacionin e subjekteve që kërkojnë kompensim.
I gjithë procesi i trajtimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara duhet të kryhet në përputhje me këtë vendim dhe me afatin ligjor, të përcaktuar në nenin 17/2 të ligjit nr.9235, datë 29.7.2005 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar.
Paraqitja e të dhënave të rreme ose fshehja e tyre nga subjektet e shpronësuara, në zbatim të këtij vendimi, sjell përjashtimin e menjëhershëm të këtyre subjekteve nga procedura e kompensimit financiar dhe i ngarkon ata me përgjegjësi penale, sipas ligjit.
Problemet
Qeveria shqiptare e ka konsideruar dukshëm dhe vazhdimisht kategorinë e ish-pronarëve si një grup social, që "i ka zënë derën". Sado e çuditshme të duket kjo për një qeveri të djathtë, shpenzimet që janë parashikuar për të korrigjuar atë, që ministrat dhe kryeministri Sali Berisha vazhdojnë ta quajnë gjithnjë si "padrejtësia fatale e regjimit komunist", konfiskimin e pronave të patundshme, kanë qenë të papërfillshme, madje, në disa vite të caktuara të këtij mandati qeverisës kanë ardhur në rënie në krahasim me shpenzimet e përgjithshme buxhetore.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›