E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Çdo germë e paketës “Kundër Studentëve” është antikushtetuese

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot ndaj ndryshimeve ligjore të njoftuara nga Kryeministri Edi Rama që përmbajnë masa për dhunën urbane dhe dëmet nga protestat.

Bardhi u shpreh se me këtë paketë ligjore, Rama shpalli diktaturën.

“Edi Rama mori përsipër përgjegjësinë për dhunën policore ndaj studentëve dhe të rinjve, ndërsa paralajmëroi se do t’ia nxjerrë sytë kujtdo që proteston. Do t’ia mbyllë gojën kujtdo. Do ta burgosë këdo. Do ta gjobisë këdo”, u shpreh ai në reagim. Po ashtu, për Bardhin, Rama është më i dobët se kurrë që përballet me protestat e studentëve dhe sheh tek ato një sfidë të drejtpërdrejtë për pushtetin e tij dhe rrezikun e përgjegjësisë përpara drejtësisë. “Asgjë nga ato që tha nuk ka për t’u realizuar. Çdo germë e paketës “Kundër Studentëve” është antikushtetuese. Edi Rama është një kryeministër politikisht i mbaruar. Numërimi mbrapsht ka nisur. Asnjë kërcënim nuk do ta ndalë vullnetin e qytetarëve për mirëqeverisje, liri, drejtësi dhe demokraci”, tha Bardhi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›