Bardhi: Deputetët socialistë nuk po mbrojnë interesin e atyre që i kanë votuar

TIRANË, 8 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot në Kuvend se deputetët socialistë e kanë kthyer funksionin e përfaqësuesit të popullit në kartona që ngrihen sipas interesit personal të Edi Ramës.
Duke iu drejtuar deputetëve socialistë të 15 bashkive që preken nga ndarja e re territoriale, Bardhi i pyeti se përse nuk mbrojnë në Kuvend interesin e qytetarëve që i kanë votuar dhe janë shprehur kundër.
“Në fakt nuk i kam parë kurrë ata që folën më në siklet sesa sot. Madje pjesa dërmuese prej tyre dolën e na thanë: ‘Jemi kundër, por do votojmë pro. Ne mendojmë që kjo nuk është reformë, por ne do votojmë pro’. Dhe ju falenderoj shumë sepse kemi kaq kohë që ju themi që ju në këtë sallë s’keni as mendim, as ide, as vizion. Ju jeni thjesht 84 ‘diella’ që ju kurdis Edi Rama dhe e keni kthyer funksionin e përfaqësuesit të popullit në kartona që ngrihen sipas interesit personal të Edi Ramës”, u shpreh Bardhi.
Bardhi u kujtoi deputetëve socialistë se “Prania besnike” ishte për të dëgjuar zërin e qytetarëve dhe për ta transmetuar atë nëpër institucione.
“Ju jeni sot përpara sfidës për t’i provuar qytetarëve nëse jeni në këtë sallë për interesat tuaja personale. Ne të gjithë së bashku jemi në këtë sallë për punët dhe hallet e qytetarëve shqiptarë dhe do duhet të bëhemi në këtë sallë sepse për këtë na ka dhënë përfaqësim zëri i interesave të tyre. Si mund të thoni ju që ne do të votojmë pro kur keni 90% të atyre që janë konsultuar kundër. Si mund t’i dilni ju kundër 90% të mbi 250 mijë banorëve që keni vendosur sot me një karton tuaj në një jeshil të detyruar nga Edi Rama t’i fshini nga harta e Shqipërisë”, tha Bardhi.
Ndërkohë sipas tij, deputetët socialistë shikojnë bizneset dhe punët e tyre dhe harrojnë qytetarët që i kanë sjellë në këtë sallë.
“Sot po votoni një draft i cili nuk përputhet as me ligjin e vetëqeverisjes vendore. Thoni do të ketë kompetenca qyteti, ndërkohë qyteti nuk njihet fare në ligj. Si mund të votoni ju një njësi të re administrative që nuk ka asnjë kompetencë në ligj në momentin kur ju votoni”, shtoi Bardhi. /j.p/