Klosi: Ndarja e re territoriale nuk ndikon votën, lista e deputetëve del nga rajonet jo nga bashkitë

TIRANË, 8 tetor/ATSH-Maela Marini/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi deklaroi sot se reforma e re territoriale nuk është elektorale, pasi sistemi i votimit bazohet në rajone dhe jo në ndarjen administrative të bashkive.
I ftuar në një studio televizive, Klosi theksoi se lista e deputetëve del nga rajonet dhe jo nga bashkitë.
“E para nuk është një reformë elektorale. E kemi sistemin e votimit rajonal proporcional. Lista e deputetëve del nga rajonet dhe jo nga bashkitë. Nuk kemi asnjë ndryshim. Nuk kemi transformim të votave nga një qark në një qark tjetër”, u shpreh ai.
Po ashtu, Klosi u ndal edhe te reforma e vitit 2014, duke deklaruar se mungesa e konsensusit me opozitën bëri që Shqipëria të mbetej me 61 bashki.
“Ishte një nga kryereformat që kemi ndërmarrë. Shumë e rëndësishme për ekononinë. Në 2014 propozuam numër më të vogël bashkish, nga komisioni i drejtuar nga Fino, por nuk patëm votë të plotë në parlament. Janë pyetur të 61 bashkitë dhe konsultimi ka qenë i plotë. Në rast se PD do të kishte dakordësi dhe do të ulej në tryezë, do të bënte marrëveshje për territorialen, do të bënim një gjë shumë të mirë për vendin. Ajo që duhej bërë që në 2014 ishte një numër më i reduktuar bashkish”, u shpreh ai. /j.p/