E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bardhi: Jemi kundër një buxheti që mbron të pandehurit, jo qytetarët

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot në Kuvend se Partia Demokratike do të votojë kundër projektbuxhetit për vitin 2026, pasi sipas tij ky buxhet është një provë se Shqipëri nuk qeverisë, por shfrytëzohet.

Teksa e cilësoi prezantimin e buxhetit si propagandë, Bardhi tha se qytetarët shqiptare po “paguajnë korrupsionin e qeverisë”.

“Sot kemi vetëm një të vërtetë: Buxheti i shqiptarëve menaxhohet nga një grusht hajdutësh, të cilët nuk i bashkon vizioni për të zhvilluar vendin, por babëzia për pasuri dhe pushtet personal”, tha Bardhi.

Bardhi tha se “ky buxhet nuk është as më shumë dhe as më pak, por fatura e pengmarrjes së kryeministrit nga korrupsioni dhe krimi i organizuar”.

“Një faturë që shqiptarët po e paguajnë më shtrenjtë se kushdo. Dhe një faturë, që ne refuzojmë ta firmosim. Sepse ky buxhet është provë se Shqipëria sot nuk qeveriset. Ajo shfrytëzohet”, tha Bardhi.

Bardhi shtoi se “jemi kundër një buxheti që mbron të pandehurit, jo qytetarët. Jemi kundër një qeverie që i shërben krimit, jo njerëzve. Ne votojmë kundër për të mos u bërë si ju – noterë të pengmarrjes nga krimi dhe korrupsioni. Ne votojmë kundër, sepse jemi me Shqipërinë dhe jo me pengmarrësit e saj”.

/m.q/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›