E Hënë, 2 Nëntor 2026

Strehimi social, Manastirliu: Po krijohet Agjencia e Strehimit për banesat e para të çifteve të reja

Qeveria shqiptare po punon për ngritjen e një Agjencie të re Kombëtare të Strehimit, e cila do të fokusohet në ofrimin e strehimit social dhe të përballueshëm. Këtë e bëri të ditur sot Ogerta Manastirliu, drejtuese politike e Partisë Socialiste për Tiranën, gjatë një takimi me banorë të Njësisë 4, ku po prezantohet projektbuxheti i vitit 2026.

Manastirliu zhvilloi takimin në kuadër të turit të dëgjesave publike, së bashku me Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deputetë të zonës dhe drejtues të Bashkisë së Tiranës.

Agjencia e re, për strehim të përballueshëm

Fokusi kryesor i deklaratës së Manastirliut ishte mekanizmi i ri qeveritar, i cili synon të zgjerojë mbështetjen aktuale të ofruar nga Bashkia e Tiranës për familjet në nevojë.

“Qeveria po punon për të krijuar Agjencinë e Strehimit për strehim social dhe të përballueshëm,” tha Manastirliu.

Ajo theksoi se programi i ri do t’u japë mundësi të veçanta çifteve dhe familjeve të reja.

Përfituesit do të ndihmohen për të pasur banesën e parë dhe për t’u krijuar mundësinë e një strehimi me kosto të përballueshme.

Kjo nismë do të plotësojë programet ekzistuese të bashkisë, të cilat përfshijnë kreditë sociale, banesat sociale me qira dhe projektet e ndërtimit të banesave për nevoja sociale.

Tur i dëgjesave për Buxhetin 2026

Takimi në Njësinë 4 ishte pjesë e një sërë dëgjesash publike që po zhvillohen në të gjitha njësitë e Tiranës. Gjatë këtyre takimeve, autoritetet prezantojnë programet e qeverisë dhe të bashkisë që do të mbështeten me Buxhetin 2026.

Qëllimi i këtyre dëgjesave, sipas Manastirliut, është informimi i qytetarëve, adresimi i çështjeve që prekin drejtpërdrejt jetën e komunitetit dhe marrja e sugjerimeve për projektet e ardhshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›