E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Bardhi: Jemi shumë vonë me procesin e primareve brenda partisë

TIRANE, 6 shkurt/ATSH/ Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe kryetari i Grupit Parlamentar të saj Gazment Bardhi këmbënguli në qëndrimin se edhe anëtarët e diasporës që nuk kanë dokumenta shqiptare duhet të lejohen të votojnë, një kërkesë e cila shumica thotë se mund të lërë pa mituar ndryshimet që lehtësojnë votën e emigrantëve në zgjedhjet e majit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Bardhi shprehu shqetësimin se për primaret që pritet të mbajë për herë të parë forca e tij politike, duke thënë se mund të jetë shumë vonë për ta realizuar siç duhet këtë proces. Ai shprehu vlerësimin që partia është tani e bashkuar dhe u bëri thirrje forcave të tjera politike që të bashkojnë votat për të fituar ndaj Partisë Socialiste në pushtet. Duke folur për SPAK-un dhe kritikat e kryetarit të partisë Sali Berisha ndaj tij, ai tha se nuk e ndan mendimin e tij se bëhet fjalë për “organizatë kriminale”, por tha se pret më shumë nga struktura kundër korrupsionit.

Bardhi u pyet pse PD këmbëngul tek votimi me dokumente të shteteve ku jetojnë, që mund të rrezikojë edhe faza të tjera të këtij procesi të votimit të diasporës, Bardhi tha se “sepse ne gjykojmë se çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nëse jeton në Shqipëri apo jashtë vendit, ka të drejtën e vet për të votuar dhe ndikuar qeverisjen në Shqipëri dhe në kategorinë e e shtetasve që jetojnë jashtë vendit, fakti nëse ata kanë ose jo një dokument biometrik shqiptar nuk mund t’i privojë ata nga e drejta e tyre kushtetuese për të votuar”.

“Dokumenti biometrik i identifikimit jep vetëm sigurinë për të identifikuar personin dhe kjo mund të arrihet edhe me një dokument identifikimi, fjala vjen të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo të një vendi të Bashkimit Evropian. Dhe ne çmojmë që burokracia administrative në këtë rast, pra fakti nëse kanë apo jo një dokument identifikimi shqiptar nuk mund t’i privojë këta qytetarë të Shqipërisë, pavarësisht se jetojnë jashtë vendit, nga e drejta e tyre për të votuar. Nuk e kuptojmë këmbënguljen e Partisë Socialiste për t’i privuar një komunitetit të gjerë të qytetarëve shqiptarë, sepse nuk është një numër i pakët, edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka shifra të sakta në këtë drejtim, por bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm qytetarësh shqiptarë, që për një arsye apo tjetër, nuk e kanë çmuar të domosdoshme të kenë dy dokumente identifikimi. Ata kanë mbajtur vetëm dokumentin e vendit ku ata jetojnë, por vazhdojnë të jenë shtetas shqiptarë”, tha ai.

Partia Demokratike për këto zgjedhje për herë të parë do të zhvillojë procesin e primareve, siç parashikohet në statut. Në lidhje me këtë, Bardhi tha se “unë mendoj që çdo anëtar i Partisë Demokratike, ka vlerësuar dhe vlerëson së tepërmi faktin që Partia Demokratike sot është e bashkuar dhe padyshim që është e bashkuar, por edhe falë atij që ju e quajtët grupimi që unë drejtoja apo që drejtojë në emër të grupit parlamentar, që u bashkua më së fundmi, grupimi që drejtonte zoti Berisha”.

“Tashmë ne jemi gjithë Partia Demokratike dhe anëtarët e Partisë Demokratike. Në vlerësimin tim dhe sa unë shoh në kontaktet e përditshme me ata, vlerësojmë kontributin e secilit prej deputetëve për atë që ata kanë dhënë në mbrojtje të interesit publik. Pra, në këtë drejtim nuk kam një shqetësim. Shqetësimi im lind për faktin se së pari jemi shumë vonë për këtë proces. Pra, jemi shumë afër zgjedhjeve dhe do të duhet të presim, nuk ka akoma rregulla të miratuara dhe do të duhet të presim rregullat dhe atë e kam thënë disa herë publikisht por edhe brenda institucioneve të partisë, që rregullat duhet të jenë të tilla që të mos krijojnë destabilitet në parti, të mos krijojnë përplasje në parti se kjo nuk do të ishte e shëndetshme tre muaj para zgjedhjeve. Pra, shqetësimi im lidhet vetëm me këtë pjesë sepse në fund fare, secili prej nesh anëtarëve të Partisë Demokratike nuk ka interes kush janë emrat e deputetëve. Interesi jonë është që PD të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ky është interesi madhor i çdo anëtari të PD-së”, theksoi Bardhi./voa/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›