Bardhi: Korrupsioni nuk luftohet as me fjalë dhe as me rezoluta

TIRANË, 27 maj /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se korrupsioni nuk luftohet as me fjalë dhe as me rezoluta.
Në fjalën e tij në seancën plenare të Kuvendit ku po diskutohet projektrezoluta “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, Bardhi tha se, grupi parlamentar i PD nuk do të marrë pjesë në votim sepse korrupsionin e lufton çdo ditë.
“E vetmja gjë pozitive që mund të veçoj në këtë qeveri dhe nga ky kryeministër ditën e sotme, edhe pse iu deshën më shumë se 4000 ditë ta kuptonte, është pranimi prej tij se na u dashka më në fund një përpjekje e veçantë, ndryshe dhe e vendosur kundër korrupsionit të kësaj qeverie”, tha Bardhi.
“Lufta ndaj korrupsionit të përhapur që është rrënjosur si asnjë herë më parë nën administratën e kryeministrit Edi Rama, duhet të trajtohet nga Kuvendi si prioritet kombëtar, sepse kjo është një çështje e një rëndësie kritike për të ardhmen e Shqipërisë: Por një nismë e tillë do të ishte e besueshme, diçka pozitive për vendin, do të ishte serioze, vetëm nëse ata që e propozojnë, janë vetë seriozë dhe të gatshëm për ta luftuar korrupsionin”, theksoi ai.
Bardhi nënvizoi se, grupi parlamentar i PD ka mbështetur dhe mbështet fuqimisht luftën ndaj korrupsionit, mirëqeverisjen dhe shtetin ligjor.
“Jemi ne që kemi bërë 11 vite betejë për këtë, me qeverinë më të korruptuar të këtyre 34 viteve, më e korruptuara në Rajon e Evropë. Jemi ne që kemi denoncuar me fakte aferën korruptive të inceneratorëve. Edi Rama i doli në mbrojtje. Jemi ne që kemi denoncuar aferën me kontratat korruptive në sektorin e shëndetësisë. Edi Rama i doli në mbrojtje. Jemi ne që kemi denoncuar korrupsionin në Bashkinë e Tiranës. Edi Rama i doli në mbrojtje. Jemi ne që kemi denoncuar korrupsionin në Policinë e Shtetit që solli kanabizimin e vendit. Edi Rama i doli në mbrojtje. Jemi ne që luftojmë për tolerancë zero ndaj korrupsionit zgjedhor. Edi Rama është arkitekti i tij. Jemi ne që luftojmë kundër qeverisjes dhe fuqizimit nga qeverisja të krimit të organizuar, si mundësia e vetme që lejon mirëqeverisjen dhe respektin ndaj shtetit ligjor. Edi Rama është arkitekti i kriminalizimit të institucioneve, duke vënë në rrezik serioz funksionimin demokratik të institucioneve publike”, tha ai.
Bardhi theksoi se, “të luftosh korrupsionin nuk ka nevojë as për fjalë dhe as për rezoluta. Ka nevojë për akte, për veprime. Edi Rama kishte 11 vite kohë të na tregonte të paktën një akt, një veprim, që ka vullnet për të luftuar korrupsionin, ka vullnet për të mirëqeverisur, ka vullnet për të respektuar shtetin ligjor”.
Por për fat të keq, shtoi Bardhi, “si çdo gjë tjetër, edhe luftën ndaj korrupsionit e konsideron çështje të propagandës së ditës apo PR, e lufton me fjalë, ndërkohë që veprat i ka krejt të kundërta. Dhe për propagandë dhe fjalë, Shqipëria ka humbur 11 vite, sepse Edi Rama tjetër thotë, tjetër premton, dhe komplet tjetër gjë bën”.
“Gjatë 11 viteve të fundit, qeveria e Edi Ramës ka demonstruar vazhdimisht se nuk është ajo fanar i përparimit dhe transparencës që pretendon të jetë, por përkundrazi një regjim që frymëzon dhe përjetëson korrupsionin në të gjitha nivelet e shoqërisë. Prandaj ndërsa Edi Rama propozon rezolutë për të luftuar korrupsionin, ne duhet të shqyrtojmë me kujdes rekordin e tij dhe të pyesim nëse qëllimet e tij përputhen me veprimet dhe politikat që kanë karakterizuar mandatin e tij”, tha Bardhi.
“Që nga marrja e detyrës në vitin 2013, Rama ka drejtuar një qeveri që është akuzuar vazhdimisht për korrupsion, nepotizëm dhe shpërdorim të fondeve publike. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i “Transparency International” e rendit Shqipërinë vazhdimisht ndër vendet më të korruptuara në Evropë. Pavarësisht kësaj, qeveria e Ramës ka bërë pak për të adresuar këto shqetësime, shpesh duke ndërmarrë hapa që përkeqësojnë, në vend që të zbusin problemin”, u shpreh Bardhi.
Bardhi theksoi më tej se, opozita qëndron fort kundër përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë aktuale për të minuar demokracinë dhe për të forcuar korrupsionin, duke e trajtuar edhe korrupsionin si çështje propagande.
“Ne i qëndrojmë fort vullnetit për ta konsideruar domodoshmëri jetike për të ardhmen e vendit thellimin e luftës ndaj korrupsionit e fenomenit të pandëshkueshmërisë në mënyrë kapilare në të gjitha nivelet. Dhe për këtë kemi qenë gjithmonë të gatshëm të luajmë rolin tonë, e kemi bërë detyrën tonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë atë me shumë përkushtim, duke i shërbyer interesit të qytetarëve, interesit publik”, tha ai.
Por, shtoi Bardhi, “kjo nuk bëhet as me rezoluta dhe as me fjalë. Kuvendi nuk ka nevojë që t’i thotë vetes me shkrim që është i ndërgjegjshëm që duhet luftuar korrupsioni. Kush është realisht i ndërgjegjshëm për këtë s’ka nevojë t’ia pohojë vetes as me shkrim dhe as me zë të lart. Mjafton ta bëjë pjesë të përditshmërisë së tij gjatë ushtrimit të funksionit, të punojë për këtë çdo ditë, të tregojë shembullin personal, të ngrejë zërin ndaj akteve korruptive. Ne këtë e kemi bërë dhe do ta bëjmë, pa qenë nevoja që t’ia themi vetes përpara pasqyrës dhe as për të bërë propagandë me këtë çështje”.
“Në emër të grupit parlamentar të PD, ju konfirmojmë se ne e çmojmë të panevojshëm miratimin e një rezolute, për t’i caktuar vetes axhendën, apo se çfarë duhet të bëjmë. Prandaj, do të abstenojmë, duke mos marrë pjesë në votim”, tha Bardhi.
/r.e/