E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Bardhi: Kuvendi ka dështuar të reflektojë rekomandimet e OSBE-ODIHR

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh sot se Kuvendi ka dështuar të reflektojë rekomandimet e OSBE ODIHR për zgjedhjet.

Në nisje të fjalës së tij në seancën hapëse të punimeve të sesionit VIII të legjislaturës X të Kuvendit, Bardhi uroi Donald Trump për betimin si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Ju kishit detyrimin në emër të Kuvendit të Shqipërisë t’i uronit suksese presidentit të ri të SHBA, presidentit Trump që merr detyrën sot. Besoj është në nderin tonë që t’i urojmë suksese si presidenti i një prej vendeve aleatë strategjik të Shqipërisë dhe të mos na kishit harxhuar kohë me mesazhet e Presidentit tuaj të Republikës se nuk është Presidenti i Republikës së Shqipërisë”, iu drejtua Bardhi, kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali.

“Na kishte lënë 2 faqe letër aty, kishte përtuar të hidhte dhe firmën tek letra që i kishte sjellë deputetëve”, tha Bardhi duke iu drejtuar mesazhit të Presidentit Bajram Begaj për deputetët.

“I bënte thirrje politikës që të respektonim standarde për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse Presidenti i Republikës Begaj do kishte interes për zgjedhje të lira dhe të ndershme së pari do vinte këtu ta jepte këtë mesazh përpara qytetarëve shqiptarë. Do ishte në nderin e tij sepse është keqpërdorur vetëm një herë nga ju për të ardhur për të folur në këtë sallë dhe nuk ka ardhur asnjëherë, në asnjë seancë, në asnjë nisje, të asnjë sesioni parlamentar”, tha Bardhi.

Gjithashtu Bardhi u shpreh se, Kuvendi ka dështuar të reflektojë rekomandimet e OSBE ODIHR për zgjedhjet.

“Për fat të mirë ky është sesioni i fundit që ju jeni  mazhorancë në këtë sallë. Sepse bilanci juaj i 12 viteve ka qenë totalisht kundër interesit publik dhe vetëm në interes të një grushti njerëzish. Ju në fakt zonja kryetare, në emër të shumicës në këtë parlamentar do duhet t’i kishit kërkuar ndjesë qytetarëve që në 12 vite nuk arritët kurrë të bënit një reformë kuptimplotë zgjedhore për t’i dhënë dhe për të adresuar shqetësimet reale të zgjedhjeve. Kuvendi ka dështuar gjatë gjithë këtyre 12 viteve të mos reflektojë asnjë nga rekomandimet e OSBE-ODIHR”, tha Bardhi.

“Ne hyjmë në zgjedhjet e 11 majit me rekomandim të paplotësuar të OSBE-ODIHR-it për të ndarë shtetin nga partia. Dhe ne jemi duke parë përgjatë këtyre muajve se si shteti dhe partia janë shkrirë në një”, theksoi Bardhi.

Sa për votën e diasporës, vijoi Bardhi , “po të ishte për vullnetin tuaj as do kishin shansin për të votuar. Do duhet t’i themi të vërtetën bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë territorit të republikës së Shqipërisë. Ai vendim i marrë nga Kuvendi ishte thjesht dhe vetëm reflektim apo detyrim i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që detyronte Kuvendin e Shqipërisë, pra që ju detyroi ju ta votonit të drejtën e diasporës për të votuar dhe i thoshte Kuvendit se pa votën e diasporës zgjedhjet nuk mund të jenë të lira”.

“Sa për prioritetet e një Kuvendi të ri evropian, jo më larg se sesioni i shkuar kemi parë Policinë e Shtetit të dhunojë deputetët brenda ambienteve të Kuvendit”, u shpreh Bardhi. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›