Bardhi: Mazhoranca po shtyn diskutimin për Komisionin Hetimor për KAYO-n

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot se mazhoranca dhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, po shtyjnë shqyrtimin në seancë plenare të kërkesës së opozitës për ngritjen e një Komisioni Hetimor për verifikimin e veprimtarisë së kompanisë shtetërore KAYO.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi thotë se opozita e ka kërkuar prej më shumë se tre javësh ngritjen e këtij komisioni, ndërsa mazhoranca nuk dha dakordësinë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve më 17 shtator 2026.
“Ligji përcakton se, pas shqyrtimit në Konferencën e Kryetarëve, çështja duhet të kalojë për diskutim në seancë plenare jo më vonë se 15 ditë”, theksoi ai.
Bardhi nënvizoi se në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ishte rënë dakord që çështja të shqyrtohej më 5 tetor, në ditën e fundit të afatit.
“Por edhe këtu, mazhoranca zgjedh ta shtyjë diskutimin, në mënyrë arbitrare dhe të paligjshme. Kjo për shkak se, është bërë publike se SPAK ka ushtruar kontrolle në banesa dhe kompani në kuadër të hetimeve penale lidhur me kompaninë KAYO sh.a., dhe Kuvendi duhet t’I shmanget kesaj teme këtë të hënë”, tha ai.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së i kërkoi Kryetarit të Kuvendit të respektojë detyrimet ligjore dhe të garantojë të drejtat e opozitës.
“Në fakt, në këtë moment, kur transparenca parlamentare do të duhej të ishte më e madhe se kurrë, Kryetari i Kuvendit zgjedh të shmangë një çështje me rëndësi publike dhe, të mos respektojë detyrimet ligjore që lidhen me shqyrtimin e kërkesës për Komision Hetimor”, tha ai.
Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Bardhi tha se dënon “me forcë shkeljen e ligjit nga Kryetari i Kuvendit dhe i kërkoj të zbatojë ligjin dhe të garantojë të drejtat kushtetuese të opozitës”.
“Kryetari i Kuvendit nuk duhet të jetë zbatues i vullneteve politike të mazhorancës, por garant i funksionimit të rregullt të institucionit që drejton”, theksoi ai.
/m.q/r.e/a.f/