Berisha: Vetëm një forcë vitale që afron rreth vetes vlerat mund të jetë parti e fitores

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi në Korçë se ripërtëritja e PD-së duhet të shoqërohet me një transformim të thellë të vendit, duke vendosur në qendër fermerët, ekonominë dhe shtresat që, sipas tij, janë përballur me vështirësi.
Gjatë fjalës së tij në Korçë ku zhvilloi “Foltoren e Ripërtëritjes” theksoi se fermerët përballen me kushte më të vështira konkurrimi krahasuar me fermerët e vendeve fqinje.
“Fermeri korçar, i cili është më punëtor se çdo fermer tjetër, të konkurrojë me dinjitet me fqinjët. Ata marrin gjashtë herë subvencione më shumë se fermerët e Korçës”, tha ai.
Një tjetër çështje e ngritur nga Berisha ishte çmimi i naftës. Berisha tha se rritja e kostove të karburantit po rëndon mbi ekonominë familjare dhe aktivitetin bujqësor.
“Rritet nafta për shkak të Hormuzit, të gjitha vendet e tjera ulin taksën, japin kompensimin, kurse ky asnjë ndërhyrje”, tha ai.
Sipas Berishës vlerësimi i PD-së duhet të lidhet me procesin e ripërtëritjes së saj, përfshirjen e të rinjve dhe rritjen e rolit të grave në strukturat e partisë.
“Kjo betejë e jona, kjo ripërtëritje është për të ripërtërirë Shqipërinë. As njeri nuk do të na votojë ne për qëndresën që dëshmuam, e cila është një heroizëm i vërtetë, por është e shkuar. Të gjithë do na vlerësojnë ne me ripërtëritjen që do u paraqesim atyre. Me vlerat me të cilat do dalim para tyre. Me të rinjtë, të cilët do i tërheqim në radhët tona. Me zonjat, zonjushat, të cilat janë shumica absolute e kombit në Shqipëri për rrethana të caktuara”, tha ai.
Berisha e mbylli fjalën duke deklaruar se vetëm një forcë politike “vitale dhe funksionale”, e cila afron rreth vetes vlerat më të mira, mund të jetë, sipas tij, “parti e shpresës, parti e fitores dhe parti e të ardhmes”.
“Shqipëria e ripërtërirë kërkon një PD të ripërtërirë. Dhe vetëm një forcë vitale, funksionale që afron rreth vetes vlerat më të mira do mund të jetë parti e shpresës, parti e fitores, parti e së ardhmes”, tha ai.
/m.q/a.f/r.e/