Bardhi: Ne bëjmë “tango” me interesin publik, jo me krimin e organizuar

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama në lidhje me reagimin e këtij të fundit mbi protestën e deputetëve të opozitës para selisë së Parlamentit Europian në Strasburg.
Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se kreu i qeverisë ka vendosur të bëjë “tango me krimin e organizuar”.
“Ti ke vendosur të bësh tango me Altin Hajrin, që të dikton të 3-tin në listën e kandidatëve dhe ti i vendos firmën. Ti ke vendosur të bësh tango me Avdylajt, që të diktojnë të 5-tin në listën e kandidatëve dhe ti i vendos firmën”, shkruan Bardhi.
Më tej kreu i grupit parlamentar të PD shkruan se ndërkohë që Rama “bën tango me krimin e organizuar, duke vallëzuar muzikën që krimi i organizuar dëshiron, opozita ka vendosur të bëjë tango me interesin publik, për të vallëzuar çdo shqiptar muzikën që përfaqëson vlerat europiane në qeverisje dhe që garanton mirëqenien e tyre”.
/a.f/r.e/