E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria, 100% e linjëzuar me politikën e jashtme të BE-së

TIRANË, 23 tetor /ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Shqipëria është e linjëzuar 100% me politikën e jashtme të Bashkimit Europian, e përfshirë pa kursim në të gjitha proceset që janë vlera, por edhe sfida që na bashkojnë”.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama konfirmoi të gjitha ato të cilat Shqipëria i ka demonstruar në këtë rrugë të përbashkët në aspektin e të qëndruarit krah për krah me BE-në.

Kryeministri siguroi se kjo vetëm do të forcohet dhe konsolidohet në vijim duke dëshmuar jo vetëm aftësinë për realizimin e të gjitha detyrave që kanë të bëjnë me anëtarësimin, por edhe qëndrueshmërinë në aspektin e afirmimit të të gjitha parimeve e vlerave që bashkojnë këtë komunitet vendesh dhe popujsh të Europës.

Rama falënderoi po ashtu Von der Leyen, ndërsa theksoi se “pa vendosmërinë Tuaj, pa mbështetjen e pakursyer të Komisionit Europian, pa bashkëpunimin e përditshëm me misionin e Komisionit Europian në Tiranë dhe pa ndërveprimin e vazhdueshëm me të gjithë ata në Bruksel, që janë të lidhur me këtë punë kjo ditë nuk do të kishte ardhur”.

“Ne e dimë shumë mirë se sa shumë vështirësi janë dashur të kapërcehen dhe sa e vështirë ka qenë politikisht për ta kthyer edhe një herë BE-në me sytë nga Ballkani Perëndimor, por jo thjesht për të përsëritur se një ditë ne do të jemi bashkë, por edhe për ta afruar atë ditë më shumë”, tha Rama.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›